Sport

Ditë të vështira për shqiptarët e Sparta Pragës, tifozët shpalosin flamujt anti-Kosovë

Sparta Praga

Katër humbje në pesë ndeshjet e fundit kampionale. Albion Rrahmani pa gol në kampionat që nga 6 tetori.  Ermal Krasniqi hyri në lojë në minutën e 55-të dhe la fushën për shkak të lëndimit në minutën e 64-t.

Gjitha këto, por edhe shumë gjëra të tjera, më të rënda, konfirmojnë se shqiptarët po kalojnë ditë të vështira te Sparta e Pragës. 

Të shtunën mbrëma skuadra e madhe çeke pësoi 3:1 në shtëpi nga Ostrava. Ndeshja i takoi xhiros së 14-të të kampionatit të Çekisë. Kampioni në fuqi tashmë ka mbetur shumë prapa në garën për titull.

Tifozët e Spartës të shtunën kanë fishkëllyer në drejtim të lojtarëve. Në përkrahje i dolën vetëm lojtarit serb të skuadrës, Velko Birmançeviq. Ai nuk luajti. Zyrtarisht nuk luajti pasi është i lënduar, por ka dyshime që ka konflikt me drejtuesit e klubit. Dhe derisa Birmançeviqi po kalonte afër tifozëve, ata shpalosën panon “Përkrahje për Birman”. Ai ngriti lart shallën e skuadrës dhe mori duartrokitje. Në grupin e tifozëve, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, janë shpalosur shumë flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës. Janë flamujt për të ciët UEFA i ndan shpesh dënime federatës serbe.
Në fakt nuk është fshehtësi që tifozët e Sparta Pragës, si edhe shumë tifo-grupe tjera në Çeki, Sllovaki, Rumani, Poloni, Greqi e Rusi, kanë qëndrim anti-Kosovë. Dhe këtë e shprehin shpesh duke shpalosur flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Por te Sparta janë katër shqiptarë. Krasniqi e Rrahmani u transferuan në verë. Dy reprezentuesit e Shqipërisë, Qazim Laçi e Indrit Tuci ishin aty edhe më parë.
Me shumë mundësi të gjithë e kanë ditur se po transferohen në një skuadër që ka tifozë me qëndrime anti-Kosovë. Dhe për këtë janë bindur të shtunën mbrëma. 

Presioni mbi lojtarët dhe trajnerin e Sparta Pragës sa shkon e rritet, në mungesë të rezultateve. Presioni ndaj Rrahmanit e Krasniqit mund të jetë edhe më i madh. Prej të dyve pritjet janë të mëdha. Rrahmani është blerja më e shtrenjtë e klubit. Dhe përkrahja që mori futbollisti serb nga tifozët, mund të jetë tjetër goditje për Rrahmanin e Krasniqin. Birmançeviqi, njëjtë si dy reprezentuesit e Kosovës luan në pjesën e sulmit.

“Klubi duhet të shqyrtojë nëse rënia e produktivitetit të Birmançeviqit është i lidhur me ndryshimet e verës në skuadër. Sparta solli kosovarët Rrahmani e Krasniqi në ekip. Shqiptarët Laçi e Tuci tashmë ishin në skuadër. Të gjithë këta janë përfaqësues të vendist që nuk ka raportet më të mira me Serbinë për shkak të historisë së fundit turbulente”, ka shkruar mediumi çek “Sport”, në një analizë për situatën  e Birmançeviqit.

Natyrisht, ndryshe do të ishte sikur skuadra të kishte rezultate dhe të vazhdonte garën për titull. Por Sparta është në krizë dhe tashmë edhe pozita e trajnerit Lars Friis është në dyshim. 
“Tifozët vijnë për të parër Spartën të fitojë. Kështu që fishkëllimat janë të kuptueshme”, ka thënë Friis në konferencë për shtyp, pas ndeshjes.
Ai foli edhe për lëndimin e Ermal Krasniqit. Ka thënë se pas një sprinti, Krasniqi kishte dhembje në muskul. 
“Nuk mund të them në këtë moment se si është gjendja, por jam pozitiv pasi ai kërkoi të vazhdonte ndeshjen. Në fund nuk funksionoi”, ka thënë trajneri i Sparta Pragës.

Rrahmani e kompletoi ndeshjen, por pa shënuar e asistuar. Në mesjavë ai kishte shënuar në ndeshje për kupë. Në kampionat mbetet me dy gola e një asistim në shtatë paraqitje. Qazim Laçi luajti po ashtu, ndërsa Tuci mungoi për arsye shëndetësore. 

Humbja ishte e rëndë për gjithë shqiptarët. Por dukshëm më tepër rëndon shfaqja e tifozëve dhe flamujt që i prezantuan ata.