Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ademi nuk dëshiron të krahasohet me Muriqin

Sulmuesi Kemal Ademi është prezantuar të premten te skuadra Fenerbahçe, të cilës iu bashkua javën e shkuar nga Baseli. Ademi në konferencën për shtyp ka thënë se do të përpiqet të jap maksimumin për Fenerbahçen por ka kërkuar që mos të krahasohet me Vedat Muriqin. Muriqi gjatë afatit të kalimtar të verës iu bashkua Lazios nga Fenerbahçe për 18 milionë euro plus bonuset. Ai edicionin e fundit ishte lojtari më i dalluar te Fenerbahçe, ku shënoi 17 gola.

Ademi me ekipin turk ka firmosur kontratë trivjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër kurse Fenerbahçe për kartonin e tij ka paguar 2.4 milionë euro dëmshpërblim.

“Po ndihem shumë mirë këtu dhe jam i lumtur që jam pjesë e një klubi fanastik me lojtarë dhe staf të mirë. Nuk kam folur me Vedatin por i kam shikuar ndeshjet e tij. Ai ka shënuar shumë gola me fanellën e Fenerbahçes dhe është një sulmues fantastik”, ka pranuar Ademi, i cili ka një javë që po stërvitet me ekipin e ri. “Mirëpo, nuk jam tip i sulmuesit si Vedati pasi dallojmë në karakteristika. Unë jam i shpejtë për gjatësinë time dhe jam sulmues që pëlqen të luajë me ritëm të shpejtë të lojës. Shpresoj që me Fenerbahçen të shënojë sa më shumë gola dhe ta ndihmoj ekipin të arrijë synimet”.

Ademi edicionin e shkuar ka shënuar 15 gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 43 ndeshje me Baselin në të gjitha garat. Para Baselit, sulmuesi 24-vjeçar, ka bërë karrierë edhe te Xamaxi e Hoffenheim II.

Pas katër xhirove të luajtura këtë edicion në Turqi, Fenerbahçe zë vendin e dytë në tabelë me tetë pikë kurse Ademi pritet të debutojë vikendin e ardhshëm kundër Goztepes (18 tetor) në udhëtim.

Artikuj të ngjashëm