Mesfushorit Amir Abrashi nuk i interesojnë aspak gjërat që po ndodhin jashtë fushës te skuadra e Grasshoperit pasi është i fokusuar në stërvitje dhe rezultatet pozitive për pjesën e dytë të këtij edicioni, shkruan e përditshmja zvicerane “Blick” të premten. Grasshopperi është në një bllokadë për shkak se së shpejti pritet të futet në pronësi të re, procedurë që do të zgjasë të paktën deri në muajin e ardhshëm. Për shkak të kësaj procedure Abrashit ende nuk i është ofruar rinovimi i kontratës pasi kontrata aktuale i skadon në fund të këtij edicioni. 33-vjeçarit aspak nuk i intereson kjo çështje pasi me padurim po e pret rifillimin e edicionit në Superligën e Zvicrës, që nis vikendin e ardhshëm – 20 janar. Ndeshjen e parë kampionale të këtij viti Grasshopperi do ta luajë në udhëtim te skuadra e Young Boysit që prin në tabelë. Young Boysi ka 38 pikë, 17 më shumë se Grasshopperi që zë vendin e tetë pas 18 xhirove të zhvilluara deri më tani.
“Unë nuk e di se çfarë po ndodh në prapaskenë dhe po e injoroj gjithë këtë situatë. Ne i marrim pagat dhe nuk mund të ndikojmë asgjë në këtë procedurë. Gjëja më e rëndësishme është që ne të japim gjithçka në fushë pasi këtë ua kemi borxh tifozëve tanë”, ka thënë Abrashi.
Ai vetë udhëheq rrugën si shembull i mirë, si udhëheqës. Për herë të parë në gati shtatë vjet, ai nuk po ka telashe me lëndimet, ka qenë në fushë në 17 nga 18 ndeshjet e raundit paraprak, duke munguar vetëm një herë për shkak të suspendimit. Trajneri Bruno Berner është plot lëvdata për kapitenin e tij edhe pse ende nuk është diskutuar për kontratën e Abrashit që skadon në qershor. Megjithatë, mund të supozohet se Abrashi do të mbetet pjesë e Grasshopperit edhe pas një ndryshimi të mundshëm të investitorëve. Kapiteni është shumë i rëndësishëm për klubin, pasi luan një rol kryesor në qendër të mesfushës.
“Po shikoj nga java në javë. Fizikisht jam më i gatshëm sesa kam qenë për një kohë të gjatë. Më pëlqen çdo ndeshje që e luaj dhe kjo ka rëndësi të madhe për mua”, ka thënë Abrashi, i cili ka folur edhe për rinovimin aktual të kontratës. “Së pari duhet të luaj në fushë, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Abrashi u rikthye te Grasshopperi në verën e vitit 2021, ndërsa në 18 paraqitje në të gjitha garat këtë edicion ka kontribuar edhe me dy asistime. Gjatë karrierës Abrashi ka qenë edhe pjesë e skuadrave si Freiburg, Basel e Winterthur. Ai ka edhe 50 paraqitje dhe një gol të shënuar me Shqipërinë.