Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shënoi në Superligë pas një dekade, por Abrashi ka ankesa

Amir Abrashi

Mesfushori Amir Abrashi e shënoi të shtunën golin e parë në Superligën e Zvicrës që nga prilli i vitit 2015. Por goli i ish-reprezentuesit të Shqipërisë nuk i mjaftoi Grasshopperit që pësoi 2:1 nga Servette në ndeshjen e xhiros së tretë të elitës helvetike. Grasshopperi mbeti me një pikë.

Pas ndeshjes 36-vjeçari Abrashi është ankuar në arbitrin Hysein Sanli.

“Deri te kartoni i kuq kemi luajtur lojë shumë të mirë. Më pas u bë shumë e vështirë. Në dhjetë minutat e parë secili aksion u ndëshkua me të verdhë. Duhet të bëhet pyetja nëse ishin vërtetë kartona të verdhë. Ju e mbytni lojën në këtë mënyrë. Ne u ndëshkuam me karton të verdhë për simulim, ekipi tjetër mori penallti. Kështu nuk është karton i verdhë. Janë vendime që sjellin dhimbje”, ka thënë Abrashi, që është lider shumëvjeçar i Grasshopperit.

Klubi tradicional zviceran luajti me një lojtar më pak që nga minuta e 59-të. Golin e dytë e pësoi në minutën e 75-të.