Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Aboubakar e Toko-Ekambi garanci për suksesin e Kamerunit në Kupën e Afrikës

Harroni Mohamed Salahun ose Sadio Manen, sepse sulmuesit më produktivë në Kupën e Afrikës janë dy lojtarët që udhëheqin sulmin e Përfaqësueses së Kamerunit që përballet në gjysmëfinale me Egjiptin, të enjten.

Kapiteni i Kamerunit, Vincent Aboubakar, është golashënuesi më i mirë i turneut me gjashtë gola, ndërsa Karl Toko-Ekambi shënoi të dy golat në fitoren 2:0 në çerekfinale ndaj Gambisë për të arritur në kuotën e pesë golave. Aboubakar e Toko-Ekambi kanë shënuar secilin prej 11 golave të Kamerunit deri më tani në Kupën e Kombeve, duke u shfaqur si lojtarët kryesorë pesë vjet pasi luajtën role të vogla në skuadrën që fitoi titullin në Gabon. Në vitin 2017 të dy u përdorën pothuajse si rezervistë, ndonëse Aboubakar hyri si zëvendësues për të shënuar golin e fitores në finalen kundër Egjiptit.

“Në vitin 2017 kam luajtur më pak, por gjithsesi i kam ndihmuar të tjerët në stërvitje dhe gjatë ndeshjeve”, kujton Toko-Ekambi. “Tani rolet janë të kundërta dhe është e njëjta gjë edhe për Aboubakarin, megjithëse gjëja kryesore është që të luajmë mirë dhe të fitojmë”.

Megjithatë, do të ishte e padrejtë të reduktohej suksesi i Kamerunit deri më tani vetëm në dy sulmuesit, me Collins Fai që luan në krahun e djathtë dhe mesfushorët Andre-Frank Zambo Anguissa dhe Martin Hongla, të cilët janë treguar të jashtëzakonshëm.

“Ata janë finalistët, por golat e tyre janë rezultat i punës së bërë nga të gjithë”, thotë përzgjedhësi i Kamerunit, Toni Conceicao.

Edhe Aboubakar i pandalshëm në Kupën e Afrikës Sport Aboubakar i pandalshëm në Kupën e Afrikës

Aboubakar është një yll në të gjithë Kamerunin, megjithëse ai nuk mund të adhurohet kurrë në të njëjtën mënyrë si Roger Milla ose Samuel Eto'o. Mirëpo, sigurisht se ai është një hero në vendlindjen e tij Garoua, qyteti kryesor në veri të vendit.

“Përpara Aboubakarit njerëzit nuk besonin vërtet se rajoni mund të prodhonte një lojtar të mirë, por tani të rinjtë e shikojnë atë dhe thonë me vete se gjithçka është e mundur”, tha Djibrilla Kada, i cili drejton akademinë në klubin e qytetit Cotonsport, lideri i Kamerunit. “Ai është një model për të gjithë lojtarët e rinj në klub”.

Aboubakar u rrit në një lagje të klasës punëtore të përshkruar nga vëllai i tij, Michel Dior, si “një vend me një reputacion të keq”.

“Vincenti nuk ishte si ne, duke dalë jashtë dhe shpenzuar paratë e tij. Cotonsport e pa potencialin e tij menjëherë”, tha ai.

Cotonsport është i vetmi klub profesionist në veri, i financuar nga kompania e sigurimeve të punëtorëve të kompanisë së pambukut “Sodecoton”, punëdhënësi kryesor në Kamerunin Verior.

“Aboubakar është ambasadori më i mirë për klubin, një produkt i akademisë sonë. Tani po kërkojmë të zhvillojmë partneritete me klube të huaja”, thotë Fernand Sadou, president i Cotonsport.

Aboubakar filloi të shënonte gola te Cotonsporti kur ishte 17 vjeç dhe ishte ende adoleshent kur u thirr te Kameruni për Botërorin e vitit 2010. Pas një aventure në Francë, ai shkoi në Porto. Ende vetëm 30 vjeç, ai së fundmi u largua nga Evropa për të shkuar në Arabinë Saudite te Al-Nassr. Por trajneri i tij i parë beson se ai së shpejti mund të kthehet përsëri në Evropë.

“Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë në turne. Unë mendoj se klube të mëdha evropiane do ta kërkojnë dhe ai e meriton këtë”, thotë Kada.

Edhe Kameruni e nis me fitore Kupën e Kombeve të Afrikës Futboll Kameruni e nis me fitore Kupën e Kombeve të Afrikës

Ndërkohë, Toko-Ekambi është ndër lojtarët e lindur dhe rritur në Evropë, por me rrënjë nga Kameruni.

Tani 29 vjeç, ai u rrit në Paris. Pothuajse hoqi dorë nga futbolli pas një dëmtimi në gju si adoleshent, dhe ishte anëtar i një grupi të muzikës rap përpara se të kthehej në sport dhe të përparonte në ligat franceze. Pas një periudhe te Villarreali në Spanjë, ai u transferua dy vjet më parë te Lyon, ku pati një fillim të vështirë përpara se të stabilizohet në ekip. Megjithatë, askush në Kamerun nuk dyshon në sulmuesit Toko-Ekambi dhe Aboubakar, që shihen si çelësi i suksesit për triumfin e gjashtë të Kamerunit në Kupën e Afrikës.