Përfaqësuesja U17 e Kamerunit është në garë me kohën për të caktuar një ekip për kualifikimet rajonale të Kupës së Afrikës, pasi shumë lojtarë dështuan në testet e moshës të urdhëruara nga Samuel Eto'o, presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit.
Këmbëngulja e ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Interit për të përdorur imazhet e rezonancës magnetike (MRI) e pa skuadrën U17 të shkatërruar, në kampin e saj stërvitor në Mbankomo, në periferi të kryeqytetit Yaounde.
Nga grupi fillestar prej 30 anëtarësh, 21 dështuan në teste. Mirëpo tani mësohet se Kameruni ka pësuar një pengesë të re pasi 11 lojtarë gjithashtu dështuan në testet e fundit të enjten, me trajnerin Jean Pierre Fiala që po përpiqet të gjejë zëvendësues.
Kameruni pret Kongon, Çadin, Republikën Demokratike të Kongos dhe Republikën e Afrikës Qendrore për kualifikimet e Unionit të Federatave të Futbollit të Afrikës Qendrore (UNIFFAC) midis 12 dhe 24 janarit, me dy ekipe që kualifikohen në Kupën e Afrikës për grupmoshën U17 që mbahet në muajin prill në Algjeri. Në një deklaratë të federatës kamerunase u tha se presidenti Eto’o dha “udhëzime të rrepta” për veprimet që do të ndërmerren “në mënyrë që t'i jepet fund manipulimit të të dhënave të gjendjes civile, të cilat në të kaluarën kanë njollosur imazhin e futbollit të Kamerunit”.
“Federata u bën thirrje të gjithë aktorëve, në veçanti edukatorëve, të sigurojnë që mosha sipas kategorive të respektohet”, shkroi ndër të tjera Federata e Futbollit të Kamerunit.
Edhe
Kameruni në kaos shkaku i legjendës Samuel Eto’o
Shumë nga sukseset ndërkombëtare të Afrikës në turnetë e të rinjve në futboll janë turbulluar nga akuzat për përdorimin e lojtarëve mbi moshën e caktuar. Organizata qeverisëse e futbollit botëror, FIFA, prezantoi skanimet MRI në Kupën e Botës U17 në vitin 2009, e cila u zhvillua në Nigeri.
MRI-ja funksionon duke skanuar kyçin e dorës për të studiuar se sa e avancuar është struktura e kockave Dhe kështu përcaktohet mosha e lojtarit.
Në vitin 2017, Federata e Futbollit të Kamerunit bllokoi 14 lojtarë që të merrnin pjesë në turneun Afcon U17 në Gabon pasi ata dështuan në teste.
Eto'o premtoi të ndërmerrte veprime për të luftuar problemin afatgjatë, kur u zgjodh president i federatës në dhjetor të vitit 2021. Simon Lyonga, gazetar i transmetuesit publik të Kamerunit, CRTV, thotë se vendimi për të eliminuar mashtrimet e moshës është duartrokitur nga publiku.
Edhe
Eto’o fiton rastin në CAS, mund të zgjidhet president
“Këtu në Kamerun njerëzit janë përgjithësisht të kënaqur që federata duket se po bën diçka për të ndaluar mashtrimin”, tha Lyonga. “Është e rëndësishme që vendi t'u japë shansin lojtarëve të moshës së duhur. Imazhi ynë do të dëmtohej edhe më shumë nëse do të luanim me lojtarë të falsifikuar. Eto’o po bën një punë fantastike dhe të gjithë po e duartrokasin për këtë”.
Kameruni ka qenë dy herë kampion kontinental në nivelin U17, në vitin 2003 dhe 2019.