Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kameruni në kaos shkaku i legjendës Samuel Eto’o

Samuel Eto’o

Kameruni ka nisur një “luftë” me presidentin e Federatës së Futbollit, Samuel Eto’o, vetëm pak ditë para fillimit të Kupës së Afrikës.

Eto’o, i cili të enjten e shënoi vitin e katërt si president i futbollit kamerunas, ka pasur mosmarrëveshje me përzgjedhësin Marc Brys, i cili raportohet se po e refuzon shkarkimin.

Përzgjedhësi belg ende nuk është shkarkuar zyrtarisht dhe ka kontratë me Ministrinë e Sportit deri në shtator të vitit 2026, ndonëse i është thënë nga Eto’o se koha e tij te Kameruni ka mbaruar.

Kjo mosmarrëveshje që është përcjellë me tone të ashpra e ka futur Kamerunin në kaos dhe konfuzion pak ditë para nisjes së turneut, pasi gjiganti afrikan ka dërguar në AFCON dy lista të ndryshme të lojtarëve.

Federata e Kamerunit, e udhëhequr nga Eto’o, ka publikuar listën me 28 futbollistë pas takimit emergjent të komitetit më 1 dhjetor, duke e emëruar David Pagoun si selektor, dhe jo Brysin, për këtë turne.

Edhe Qeveria e Gabonit heq sanksionet ndaj përfaqësueses dhe Aubameyangut Futboll Qeveria e Gabonit heq sanksionet ndaj përfaqësueses dhe Aubameyangut

Pagou, tani është zyrtarisht në faqen zyrtare të FIFA-s si përzgjedhës, ndërsa ka mbajtur edhe konferencë për shtyp javën e kaluar, për të dhënë shpjegime për listën dhe ambiciet e Kamerunit. Ai është paraqitur bashkë me ndihmësit, të cilët po ashtu i ka vendosur Eto’o.

Në listë pati shumë befasi, pasi ishin lënë jashtë ish-portieri i Manchester Unitedit, Andre Onana, ish-sulmuesi i Bayern Munichut, Eric Choupo-Moting dhe golashënuesi veteran, Vincent Aboubakar.

Sipas burimeve të “The Sun”, lënia jashtë e Aboubakarit është bërë me urdhër të Eto’os, pasi i rrezikohej rekordi si golashënuesi më i mirë në histori të Kamerunit.

33-vjeçari Aboubakar është vetëm 12 gola larg për t’u bërë golashënuesi më i mirë i Kamerunit dhe kjo do të mund të arrihej në Kupën e Afrikës në javët e ardhshme.

“Nga minuta e parë, ai më ka fyer dhe unë kam reaguar. Isha si konkurrencë për të. Eto’o ka lënë jashtë lojtarë dhe liderë të skuadrës. Sepse, natyrisht, ai e ka bërë këtë selektim. Si mund të shkosh në Kupën e Afrikës pa portier të klasit botëror? Apo pa Aboubakarin? Është e pabesueshme, por në fakt, nuk më ka befasuar. Kjo vjen nga dikush që është narcisist dhe mendon se është më i miri”, ka deklaruar Brys për “VTM Nieuës”.

44-vjeçari Eto’o për kohë të gjatë është duke luftuar me Brysin që ai të mos jetë përzgjedhës i Kamerunit.

Edhe Eto’o fiton rastin në CAS, mund të zgjidhet president Futboll Eto’o fiton rastin në CAS, mund të zgjidhet president

Në vitin 2024, Eto’o ishte suspenduar nga FIFA dhe nuk kishte të drejtë që për gjashtë muaj t’i ndiqte ndeshjet e Përfaqësueses së Kamerunit, pasi kishte thyer dy nene të kodit disiplinor të shtëpisë botërore të futbollit.

Nuk janë dhënë detaje të hollësishme për këtë suspendim, por ato lidheshin me Kupën e Botës U20 për futbolliste, për ndeshjen Brazil – Kamerun.