Kapiteni i Baselit, Taulant Xhaka, ka kërkuar falje për veprimet gjatë ndeshjes derbi ndaj Zuerichut. Xhaka u përjashtua me të kuq, ndërsa kishte disa episode jo të lavdishme në ndeshjen e së dielës. Ndër të tjera e goditi me kokë në trup një lojtar të Zuerichut.
Zuerichu fitoi 2:0 ndeshjen në të cilën u treguan katër kartonë të kuq. Të dy golat i shënoi në minutat shtesë. “Dëshiroj të përfitoj nga rasti për të kërkur faljë për lëshimin tim të mbrëmshëm”, ka shkruar Xhaka në një postim në “Instagram”. Mesfushori me përvojë ka shkruar se është si çdo njeri tjetër dhe se nuk ka mundur të kontrollojë emocionet kur fillimisht kapi Marchesanon në fytyrë e më pas goditi Katiqin me kokë.
Taulant Xhaka ka thënë se kishte fyerje ndaj tij dhe familjes së tij para veprimeve josportive, por nuk dëshiron t’i shfrytëzojë ato si arsyetim.
“Si një lojtar me përvojë dhe kapiteni i këtij ekipi, unë kam detyrën e modelit që duhet ndjekur, sidomos në momente të vështira. Për fat të keq nuk e kam shfaqur këtë në ndeshjen e mbrëmshme”, ka shkruar Xhaka.
Postimi i tij është përcjellë nga mediat e mëdha zvicerane. Bujë kanë bërë edhe veprimet e tij në ndeshjen ndaj Zuerichut. Ai është prej lojtarëve më të njohur në Superligën e Zvicrës dhe është vazhdimisht në mediat e mëdha.
Xhaka ka shkruar se nuk mund të kthejë atë që ka ndodhur, por ka theksuar se do të përballet me pasojat “pasi nuk ka mundur të kontrollojë veten për një moment”. Ish-reprezentuesi i Shqipërisë pritet të dënohet për shumë ndeshje. Ai është vëllai i madh i Granit Xhakës. Me karton të kuq në ndeshjen derbi është ndëshkuar edhe Mirlind Kryeziu i Zuerichut.