Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja ankohet në FIFA për veprimin e Serbisë në Kupën e Botës

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të premten ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin, siç e ka quajtur, agresiv të Serbisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.

Në duelin kundër Brazilit, thuhet se Serbia ka vazhduar me “retorikën shoviniste ndaj Republikës së Kosovës”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Para duelit me Brazilin, të cilin e humbi 2:0, në zhveshtoren e Serbisë është vendosur një flamur, ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

“Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.

Sipas FFK-së, futbolli si sporti më i popullarizuar në botë, përçon vlera bashkimi dhe jo përçarjeje, ndërsa ka shtuar se akti agresiv i Serbisë nuk përkon me vlerat e tilla dhe duhet të ndëshkohet.

“Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit. Mirëpo, është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqishëm që FIFA të zbatojë në përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli”, ka shkruar FFK-ja.


Edhe KOK-u ankohet për veprimin e Serbisë në Botëror

Pas Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është ankuar ndaj veprimit të ulët të Serbisë në Kupën e Botës “Katari 2022”.

Në njoftimin e KOK-ut, të premten, thuhet se ankesa është dërguar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe FIFA.

KOK-u, ka thënë se e ka pritur me shqetësim të madh veprimin e radhës nga Serbia, i cili këtë herë nuk ka ardhur nga tifozët por përfaqësuesja e futbollit dhe atë në Kampionatin Botëror që po luhet në Katar.

“Është e turpshme se si udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Serbisë lejuan të shfaqin mesazhe të tilla urrejtje ksenofobike dhe gjenocidale ndaj një shteti me të drejta të barabarta në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe FIFA e UEFA”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

KOK-u ka shtuar se në koordinim me FFK-në, tashmë ka dërguar ankesën dhe pret reagimin e IOC-së dhe FIFA-s.

“Komiteti Olimpik i Kosovës në koordinim të plotë me Federatën e Futbollit të Kosovës, ka dërguar sot ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, anëtare e së cilës është, por edhe në FIFA, anëtare e së cilës është FFK, në mënyrë që të dyja të marrin veprime të menjëhershme ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, konform kartës olimpike dhe rregullave të FIFA-s”, ka shkruar në njoftim.