Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja mirëpret inicimin e procedurës disiplinore ndaj Serbisë

FFK

Federata e Futbollit të Kosovës ka mirëpritur inicimin e procedurës disiplinore nga FIFA për Federatën e Futbollit të Serbisë.

FIFA ka nisur procedurë ndaj Serbisë pasi në zhveshtore të Serbisë para ndeshjes së Botërorit “Katar 2022” ndaj Brazilit, ishte paraqitur një flamur provokues. Në flamur shihej harta e Kosovës dhe sipër saj flamuri i Serbisë e me shkrimin “s’ka dorëzim”.

FFK-ja kishte reaguar në FIFA për këtë rast.

“Jemi të lumtur të shohim reagimin e shpejtë të FIFA-s, me rastin e fillimit të hetimit kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pas shfaqjes së banerit me hartën e Kosovës me flamurin serb brenda saj dhe me mesazhe urrejtje dhe luftnxitëse në zhveshtoren e përfaqësueses serbe dhe në stadium, në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në kuadër të Kupës së Botës në Katar. Nga FIFA kemi marrë konfirmimin për pranimin e ankesës sonë dhe njëherësh kemi marrë vlerësimin e tyre të lartë për FFK-në, që përkushtohet për ruajtjen e integritetit e reputacionit të futbollit dhe që ankesa jonë tregon përkushtimin tonë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të cilat i afirmon FIFA. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me organet përkatëse të FIFA-s për çdo informatë ose dokument shtese nëse kanë nevojë lidhur me hetimin e këtij rasti. Po ashtu, si FFK do jemi çdoherë të gatshëm të ruajmë dinjtetin e futbollit dhe reputacionin e Kosovës, duke reaguar dhe vepruar konform mekanizmave të FIFA-së dhe UEFA-s, në të cilat bëjmë pjesë”, thuhet nga FFK-ja.