Mëngjes, stërvitje, gola.
I prezantuar para rreth 60 mijë shikuesve të Barcelonës në “Camp Nou” të premten, sulmuesi polak, Robert Lewandowski, ka thënë se ende ka dëshirën dhe aftësinë që të ndihmojë klubin katalunas që të rikthehet në rrugën e sukseseve.
“Fillimisht do të ha mëngjes që mos të jem i uritur më dhe më pas do të shkoj në seancën stërvitore”, ka thënë 33-vjeçari kur është pyetur se çka e zgjon atë çdo ditë. “Natyrisht, ju e dini, është më e lehtë për mua pasi e bëj atë që dua. Më duhet të them që pas shumë vjetësh ende e kam këtë ndjenjë. Ende dua të bëj edhe më shumë. Për aq kohë sa zgjohem, nuk kam dhembje dhe e ndiej këtë dëshirë, atëherë mund të them se mund të luaj në nivelin më të lartë”, ka theksuar Lewandowski.
Barcelona ia ka besuar ringjalljen sulmuesit veteran nga Polonia, që pas tetë edicionesh shumë të suksesshme me Bayernin ka vendosur të hapë kapitull të ri në karrierë duke u transferuar në Spanjë.
Ai e ka bërë lëvizjen në moment kritik. Lewandowski mund të ruajë statusin e tij si një nga golashënuesit më të mirë në futbollin ndërkombëtar apo të fillojë të rrëshqasë drejt fundit të karrierës.
Suksesi i Barcelonës në këtë edicion mund të përcaktojë rrugën e Lewandowskit.
Lewandowski i mbush 34 vjet një javë pasi Barcelona e hap edicionin me ndeshjen ndaj Rayo Vallecanos, më 13 gusht.
“Mosha ime nuk ka rëndësi”, ka thënë Lewandowski.
“Trupi im nuk ndjen se jam 33, gati 34-vjeçar, pasi e di që ende mund të luaj edhe disa vjet në nivelin më të lartë. Po ndihem edhe më mirë se kur isha 29-vjeçar”.
Prezantimi në stadiumin e Barcelonës ishte shansi i parë për tifozët spanjollë që ta shohin Lewandowskin nga afër. Ai ka firmosur kontratë katërvjeçare me Barcelonën dy javë më parë. I është bashkuar skuadrës në turin parasezonal në SHBA, pas kompletimit të transferimit prej 50 milionë eurosh.
Rreth 60 mijë shikuesve u janë dhënë bileta falas për të parë Lewandowskin duke mbajtur veshur fanellën me numrin 9, në fushën e nxehtë dhe të lagësht të Camp Nou.
Sulmuesi, që ishte realizatori më i mirë i Bundesligës për shtatë vjet, vjen me shpresën e madhe të Barcelonës për ringjallje, pas vetëm një trofeu në tre vjetët e fundit. Barça e fitoi Kupën e Mbretit në vitin 2021, ndërsa mbeti duarthatë në edicionin e fundit.
Barcelonës i është dashur të shes një pjesë të të drejtave televizive dhe një pjesë të kompanisë së saj të prodhimit, për të siguruar paratë e nevojshme për të angazhuar Lewandowskin, mbrojtësin Jules Konde dhe lojtarin e krahut, Raphinha. Presioni është që skuadra e Xavi Hernandez të përgjigjet me trofe të fituar.
Lewa ka thënë se është i motivuar nga sfida, që përfshin garën ndaj rivalit të madh të Barçës, Real Madridit. Reali fitoi La Ligan dhe Ligën e Kampionëve në edicionin e kaluar.
Bayerni ishte klubi që ka kontribuar në rënien e madhe të Barcelonës në vitet e fundit. Gjiganti gjerman ia shkaktoi Barçës një humbje turpëruese , 8:2, në vitin 2020 dhe e mposhti dy herë në Ligën e Kampionëve, me rezultatin e përgjithshëm 6:0, në fazën e grupeve edicionin e kaluar.
Lewandowski beson se golat e tij dhe njohuritë për lojën do të ndihmojnë lojtarët e rinj të Barçës si Pedi Gonzalez, Ansu Fati e Gavi Paez.
“E di që kemi shumë lojtar të rinj, me shumë potencial dhe me talent të madh. Në fund, përzierja e përvojës me lojtarët e rinj është shumë me rëndësi. Unë mund t’u shpjegoj atyre shumë gjëra pasi kam parë shumë gjatë jetës sime në futboll”.
Prezantimi i Lewandowskit erdhi një vit pasi Barcelona shokoi tifozët duke thënë se e në aspektin financiar e kishte të pamundur të nënshkruajë kontratë të re me Lionel Messin, ndonëse superylli ishte pajtuar për ulje të pagës. Messi më pas kaloi pa dëmshpërblim te PSG-ja.
Ishte një prej vendimeve të vështira të presidentit Joan Laporta, në tentim për ta shpëtuar klubin të cilin e gjeti në borxhe shumë të mëdha.
Laporta e ka vlerësuar ardhjen e Lewandowskit si “ditë historike”.
“Një vit më parë me keqardhje është dashur të japim një njoftim të padëshiruar për shkak të situatës ekonomike në klub. Një vit ka kaluar dhe tani mund të themi se po i rregullojmë gjërat. Kemi dalë nga spitali dhe kemi shëndet më të mirë”, ka theksuar Laporta.