Granit Xhaka ka kërkuar nga Arsenali që ta fitojë edhe ndeshjen kundër Manchester Unitedit, pas triumfit ndaj Chelseat, përcjell “Football.London” të enjten. Të mërkurën mbrëma, Arsenali triumfoi 4:2 në udhëtim te Chelsea për të mbajtur shpresat gjallë për një pozitë në top-katërshe në Premier League. Ndërsa, të shtunën, Arsenali e pret në “Emirates Stadium” skuadrën e Manchester Unitedit. “I kemi edhe gjashtë ndeshje që janë finale për ne.
Finalja e radhës është ndaj Manchester Unitedit, të shtunën. Duhet të tregojmë karakterin dhe shpirtin e njëjte sikurse ndaj Chelseat për të fituar”, ka thënë Xhaka. “Duam të marrim tri pikët dhe të vazhdojmë me fitore në shtëpi”. Sipas Xhakës, fitorja ndaj Chelseat ishte shumë e rëndësishme për Arsenalin, që u fut në këtë ndeshje pas një serie prej tri humbjeve rresht.
“Tri ndeshjet e fundit ishin dëshpëruese për ne dhe donim të reagonim. Mendoj se morëm tri pikë shumë të rëndësishme, të cilat do të na motivojnë deri në fund të sezonit. Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të përfundojmë në mesin e katër skuadrave të para”, ka shtuar Xhaka.
Aktualisht, Arsenali është në pozitën e pestë në tabelë me 57 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Tottenhami që renditet i katërti.