Sport

Xhaka ende beson se Arsenali mund ta fitojë titullin

Mesfushori Granit Xhaka ende nuk ka hequr dorë nga titulli i kampionit në Premier League. Ai ka besim se Arsenali në fund mund të shpallet kampion i Anglisë këtë edicion, duke e rikthyer titullin për herë të parë që nga viti 2004. Arsenali të martën mbrëma triumfoi në derbin e Londrës kundër Chelseat 3:1 për t’i dhënë fund një serie prej katër ndeshjeve pa fitore, ku regjistroi tri barazime dhe një humbje. Xhaka ndaj Chelseat ishte ndër më të dalluarit në fushë tek Arsenali, pasi asistoi në dy golat e shënuar nga Martin Odegaard.

“Ne duhet të besojmë dhe të vazhdojmë punën tonë duke mbledhur sa më shumë pikë që të jetë e mundur deri në fund të sezonit. Pas kësaj duhet të shpresojmë edhe në pak fat për shkak se nuk kemi gjithçka në duart tona”, është shprehur Xhaka. “Megjithatë, në Premier League çdo gjë është e mundur dhe për këtë arsye duhet të besojmë deri në fund. Të gjithë po flasin për ne në mënyra të ndryshme, por kjo është pjesë e punës sonë. Duhet të jemi të fokusuar tek vetja, ta bëjmë punën tonë dhe pastaj të shohim për shkak se ende asgjë nuk ka marrë fund”.

30-vjeçari ka insistuar se fitorja ndaj Chelseat ishte më së e nevojshme për Arsenalin. Sipas tij, me këtë

triumf ekipi reagoi pas humbjes së thellë që e pësoi nga Manchester City (4:1).

“Është dashur të tregojmë reagim të fuqishëm dhe mendoj se e arritëm një gjë të tillë, pasi e merituam plotësisht fitoren. Luajtëm mirë si ekip dhe u rikthyem te fitorja pas katër ndeshjeve, në të cilat nuk morëm pikët e plota. Fitorja ndaj Chelseat ishte shumë e rëndësishme për ne, mbi të gjitha për tifozët tanë”, u shpreh Xhaka. “Kjo fitore na motivon maksimalisht që të vazhdojmë me të njëjtën ritëm edhe në katër ndeshjet e fundit të këtij sezoni. Shpresoj të kemi paraqitje të mirë sikurse ndaj Chelseat”.

Ndeshjen e radhës Arsenali e luan në udhëtim te Newcastle Unitedi dhe Xhaka pret një përballje tejet të vështirë. Ai ende kujton humbjen 3:0 që Newcastle ia shkaktoi Arsenalit në stadiumin “St James Park” sezonin e shkuar, duke ia shuar përfundimisht shpresat ekipit nga Londra për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Ajo ndeshje u luajt në maj të vitit të shkuar dhe Arsenali të dielën rikthehet në stadiumin e njëjtë pas 12-të muajve.

“Ne nuk e kemi harruar ende ndeshjen e sezonit të shkuar. Më duhet të pranoj, Newcastle na pati shkatërruar. Ishin shumë më të mirë dhe fituan me meritë. Kështu që, ne duhet të shkojmë atje dhe t’u tregojmë të gjithëve se jemi gati dhe jemi aty për një arsye të fortë”, ka shtuar Xhaka. “Do të jetë një duel tejet i fortë, pasi Newcastle po luan mirë dhe ka një ekip të mirë. Por, ne duhet të bëjmë lojën tonë, të angazhohemi për t’u kthyer në Londër me tri pikë”.

Xhaka po shkëlqen këtë edicion te Arsenali, ku krahas 5 golave ka bërë edhe 7 asistime në 33 paraqitje në Premier League. Në total ai ka 7 gola e po aq asistime në 43 ndeshje të luajtura këtë edicion për Arsenalin në të gjitha garat.