Sport

Arsyetohet Federata Ballkanike: FAK në vend të KOS, gabimi i organizatorit lokal

Federata Ballkanike e Atletikës është përgjigjur të premten mbrëma për KOHËN për prezantimin e atletëve kosovarë me shkurtesën e federatës, FAK, në vend të asaj të shtetit, KOS.

Atletët e rinj të Kosovës kanë udhëtuar të premten për në Beograd, ku të shtunën duhet të paraqiten në Kampionatin Ballkanik U20 në palestër. Në listat zyrtare të pjesëmarrësve, të publikuara nga Federata Ballkanike dhe Federata e Atletikës e Serbisë, atletët e Kosovës janë paraqitur si përfaqësues të FAK, shkurtesa zyrtare e Federatës Atletike të Kosovës. Ndërkohë atletët e vendeve të tjera janë paraqitur si përfaqësues të shteteve, duke vënë pas emrit të tyre shkurtesën e shtetit, si ALB për Shqipërinë, AUT për Austrinë e kështu me radhë.

Federat Ballkanike ka pranuar se shkurtesa FAK është vepër e serbëve, përkatësisht e Komitetit Organizativ Lokal.

“Ishte gabim i Komitetit Organizativ Lokal. Do të përmirësohet”, shkruan në përgjigjen për KOHËN të Galia Puhalevas nga Federata Ballkanike e Atletikës.

Korrigjimi i paralajmëruar prej saj nuk është bërë ende.

Nga Federata Atletike e Kosovës kanë thënë se nëse nuk vendoset shkurtesa KOS, nuk do të garojnë.