Sport

ALB, AUT, BUL, GRE ... për Kosovën FAK

 

Atletët e rinj të Kosovës kanë udhëtuar në Beograd dhe të premten mbrëma kanë zhvilluar një stërvitje në kryeqendrën e Serbisë. Të shtunën atletët e Kosovës duhet të garojnë në Kampionatin Ballkanik U20 në palestër që mbahet në Beograd. Atletët mund të bëhen sportistët e parë të Kosovës që garojnë në një ngjarje ndërkombëtare të mbajtur në Serbi.

Por paraqitja nuk është ende e konfirmuar, ndonëse atletët janë tashmë në Beograd. Atletët e Kosovës do të garojnë vetëm nëse trajtohen njëjtë me atletët e vendeve tjera. Dhe kjo ka gjasë që mos të respektohet. Të paktën publikimet e bëra të premten nga Federata Ballkanike e Atletikës (Balkan Athletics) lënë të kuptohet kjo.

Në listën zyrtare, të publikuar nga Federata e Atletikës së Serbisë, atletët e Kosovës janë paraqitur me shkurtesën FAK. Pra Federata Atletike e Kosovës. Tek atletët e vendeve të tjera është shkruar shkurtesa e vendit prej nga vijnë. Atletët e Shqipërisë janë paraqitur me ALB, të Armenisë me ARM, të Austrisë me AUT, të Bosnjë-Hercegovinës me BIH, të Bullgarisë me BUL, të Kroacisë me CRO, të Qipros me CYP, të Greqisë me GRE, të Izraelit me ISR, të Moldavisë me MDA, të Maqedonisë së Veriut me MKD, të Malit të Zi me MNE, të Rumanisë me ROU, të Sllovenisë me SLO, të Serbisë me SRB, të Turqisë me TUR dhe të Ukrainës me UKR. Pra, për të gjitha delegacionet është përdorur shkurtesa ndërkombëtare e vendit, e vetëm për delegacionin e Kosovës ajo e Federatës, FAK.

Edhe në listën zyrtare startuese të publikuar nga Balkan Athletics, garuesit e Kosovës paraqiten me shkurtesën FAK. Në fakt Balkan Athletics ka publikuar listën startuese vetëm në faqen zyrtare në “facebook” dhe atë me kualitet shumë të dobët, ku mezi shihen emrat e atletëve dhe të vendeve që i përfaqësojnë.

Në Federatën Atletikës të Kosovës kanë thënë se do të garojnë vetëm nëse trajtohen të barabartë. Federata Atletike e Kosovës nuk i ka dhënë bujë udhëtimit për në Beograd. Udhëtimi është bërë në heshtje të plotë, pa lëshuar ndonjë njoftim.

“Na kanë pritur mirë si delegacion dhe nuk e kemi pasur as problemin më të vogël, si gjatë udhëtimit, ashtu edhe gjatë akomodimit. Pra jemi pritur si është më së miri dhe çdo gjë është shumë mirë deri më tani. Organizatorët e kanë marrë përsipër për ta përmirësuar shkurtesën nga FAK në KOS, pasi kanë thënë se është vetëm një gabim teknik”, ka thënë për KOHËN, Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës. Ai është në krye të delegacionit që ka udhëtuar për në Beograd.

“Patjetër se do të përmirësojnë, sepse nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë nuk do të marrim pjesë. Atletët tanë kanë udhëtuar si Kosovë dhe ne e përfaqësojmë Kosovën këtu”, ka shtuar Sylejmani.

Florentina Restelica, Sara Susuri, Ejona Shala, Armel Qovanaj, Enis Bytyçi Granit Ahmeti e Olti Bytyqi janë atletët kosovarë që janë paraqitur në listën zyrtare të pjesëmarrësve në Ballkanikun U20 në palestër.

Deri më tani, Serbia nuk ka lejuar sportistët që përfaqësojnë Kosovën që të garojnë në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në territorin e Serbisë. Së fundi, boksierët nuk ishin lejuar të hyjnë fare në territorin e Serbisë për të garuar në Botëror. Më herët diskriminim i tillë ishte bërë edhe ndaj karateistëve. Hendbollistet e reja ishin lejuar të ushtrojnë në afërsi të Beogradit, por jo edhe të luajnë.

Ballkaniku U20 është një lloj testi për mundësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Botërorin në palestër që mbahet muajin e ardhshëm. Nga Federata Botërore e Atletikës kanë thënë se nuk presin ndonjë telashe që Kosova të jetë pjesë e ngjarjes së madhe që mbahet në Beograd.

KOHA i ka shkruar Federatës Ballkanike të Atletikës për të kërkuar sqarime për mënyrën e prezantimit të Kosovës. Por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.

Federata Ballkanike organizon rregullisht gara. Kjo federatë është zgjeruar edhe në vende jashtë regjionit të Ballkanit. Kosova është anëtare me të drejta të plota e Federatës Ballkanike. Por deri më tani, është shmangur pjesëmarrja e atletëve të Kosovës në ngjarjet ballkanike të mbajtura në Serbi.