Një delegacion i Federatës së Atletikës së Kosovës të premten është vendosur në Beograd. Atletët e rinj kanë stërvitur në arenën ku të shtunën shpresojnë edhe të garojnë. Do të ishte historike – ende sportistët e Kosovës nuk kanë garuar në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në territorin e Serbisë.
Të shtunën në Beograd mbahet Kampionatin Ballkanik për grupmoshën U-20 në palestër. Drejtuesit e delegacionit nuk janë të sigurt që do të lejohet garimi i atletëve kosovarë. Natyrisht, pjesëmarrja në garë do të bëhet vetëm nëse trajtimi është i barabartë si i të gjitha delegacioneve të tjera.
Në fakt, ka pasur përpjekje të premten që prezantimi i Kosovës të mos jetë i njëjtë. Në listën zyrtare të atletëve pjesëmarrës, pranë emrit të atletëve nga Kosova ishte vendosur shkurtesa e Federatës së Atletikës së Kosovës, FAK. Ndërkohë tek atletët e vendeve të tjera ishte vendosur shkurtesa e shtetit si ALB për Shqipërinë, AUT për Austrinë e kështu me radhë. Federata e Atletikës së Kosovës kishte reaguar për këtë, ndërsa KOHA ka dërguar pyetje në Federatën Ballkanike të Atletikës, që edhe e organizon garën. Shkurtesa FAK kishte qëndruar gjatë tërë ditës, deri në mbrëmje. Vetëm pasi nga Federata Ballkanike u kthye përgjigje për KOHËN, nisi përmirësimi i gabimit. Nga Balkan Athletics kanë thënë se ishte një gabim i komitetit organizativ lokal, pra i Federatës serbe.

Në mbrëmje shkurtesa FAK u zëvendësua me shkurtesën KOS, ndërsa para “KOS” u vendos flamuri i Kosovës.
Udhëtimi për në Beograd është bërë në heshtje të plotë. Federata kosovare nuk ka lëshuar ndonjë njoftim, ndërsa edhe përgjigjet e drejtuesve nuk ishin shumë të qarta. KOHA ka mësuar që Policia serbe ka përcjellë delegacionin kosovar që nga kufiri e deri në Beograd. Delegacionin kosovar edhe në hotel e ruan Policia serbe, njëjtë si në arenë, ku gjatë stërvitjes kishte policë civilë. Nuk ka pasur ndonjë problem të sigurisë për delegacionin kosovar. Por ka pasur presion të organizatorit që pjesëmarrja të bëhet pa bujë.
“Ne kemi ardhur për të garuar dhe nuk do të heqim dorë lehtë. Por pa filluar gara nuk mund të garantojmë asgjë. Natyrisht do të garojmë vetëm nëse trajtimi është i njëjtë si i të gjitha delegacioneve të tjera”, ka thënë për KOHËN në mbrëmjen e së premtes, Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës. Ai është në krye të delegacionit në Beograd.
Ballkaniku U-20 në palestër është një lloj testi për pjesëmarrjen e Kosovës në Botërorin në palestër që gjatë muajit të ardhshëm mbahet po në Beograd. Nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës kanë thënë se nuk presin ndonjë problem për pjesëmarrjen e Kosovës.
Florentina Restelica, Sara Susuri, Ejona Shala, Enis Bytyçi, Granit Ahmeti dhe Olti Bytyqi janë atletët e Kosovës që kanë udhëtuar për në Beograd.
Ka pasur disa përpjekje të sportistëve kosovarë për të garuar në ngjarjet ndërkombëtare në Serbi. Vjet boksierët nuk u lejuan të hyjnë fare në Serbi për të marrë pjesë në Botëror. Më herët nuk ishin lejuar as karateistët. Ndërkohë, hendbollistet e reja të Kosovës ishin vendosur në afërsi të Beogradit dhe kishin zhvilluar një stërvitje, duke mbajtur fanellat e Kosovës. Kjo kishte ngjallë protesta në Beograd dhe në ditën e lojës u vendos që Kosovës t’i ndalohej hyrja në palestër. Më pas kishte dështuar i gjithë turneu kualifikues.
Pas diskriminimit të boksierëve, ka reaguar Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). IOC-ja ka kërkuar nga federatat ndërkombëtare sportive që të marrin garanci nga organizatorët e ngjarjeve ndërkombëtare se nuk do të ketë diskriminim ndaj vendeve të caktuara. Kryesisht fjala ishte për Kosovën sa i takon Evropës. Madje, IOC-ja ka kërcënuar Serbinë me ndalesë të organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare për aq kohë sa ka qëndrim diskriminues ndaj sportistëve që e përfaqësojnë Kosovën.
Një test shumë i rëndësishëm për Serbinë do të jetë të shtunën paradite. Do të jenë atletët e rinj kosovarë që do ta testojnë shtetin fqinj.