Sport

Slloveni Gliha: Kam qenë në ushtri në Kosovë, e njoh mirë mentalitetin e njerëzve atje

Slloveni Primozh Gliha është krenar që do ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës në futboll në dy ndeshjet e muajit të ardhshëm. Kosova më 10 nëntor luan miqësore me Jordaninë në Prishtinë. Më 14 nëntor Kosova luan ndaj Greqisë në Athinë. Është ndeshja e fundit e eliminatoreve për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Gliha ishte ndihmësi i parë i përzgjedhësit Bernard Challandes, me të cilën FFK-ja u nda pas humbjes nga Gjeorgjia, më 12 tetor. FFK-ja nuk ka përzgjedhur selektor të ri, ndërsa dy ndeshjet e nëntorit do t’i udhëheqë Gliha. Ai është përmendur në mesin e kandidatëve për selektor të ardhshëm të “Dardanëve”. Trajneri slloven tregon për lidhjen që ka me Kosovën, ndërsa thotë se njeh shumë mirë mentalitetin e kosovarëve. Gliha prej shkurtit ishte në shtabin teknik të Kosovës.

“Pikësëpari më duhet të them se Kosova nuk është shumë larg nga Sllovenia, sepse para 30 vjetësh kemi jetuar në shtetin e njëjtë. Kam qenë për një vit në ushtri këtu dhe e njoh shumë mirë mentalitetin e njerëzve. Natyrisht, kam punuar në këtë staf, por pozita ime është tjetër tani. Tani jam i pari dhe jam njeriu që vendos. Është një dimension krejtësisht tjetër dhe shpresoj të kemi suksese në këto dy ndeshje të muajit nëntor”, ka thënë Gliha për KOHËN, të martën.

Bëri bujë një intervistë e tij e dhënë ditë më parë për mediat sllovene. Mediat sllovene kanë shkruar se Gliha ka thënë që gjermani Felix Magath do të jetë selektor i Kosovës, ndërsa ai do të jetë ndihmës i teknikut gjerman.

Por trajneri slloven ka mohuar të ketë “zyrtarizuar” Magathin si përzgjedhës të ri.

“Kam folur me dy gazetarë nga Sllovenia për statusin tim te Kosova. E kam thënë atë që është zyrtare, që unë do të udhëheq Kosovën në dy ndeshjet e ardhshme. Të tjerat janë vetëm spekulime të futbollit. Më kanë pyetur për Magathin dhe më kanë thënë se çka mendoj nëse ai vjen. U kam thënë se jam shumë i kënaqur nëse vjen, sepse është emër i famshëm dhe se do të isha i kënaqur që të punoja me të, nëse ai vjen te Kosova”, ka shtuar Gliha.

FFK-ja nuk pritet që deri në fillim të vitit të ardhshëm të vendosë për selektor. Shumë do të varet edhe nga ndeshjet e nëntorit.

“Gjëja më e rëndësishme për mua dhe Kosovën në dy ndeshjet e fundit është të luajmë mirë, të kemi rezultate të mira dhe të krijojmë një bazë të mirë për ndeshjet e ardhshme që na presin në muajin mars dhe qershor. Kështu që shpresoj që t’i fitojmë këto ndeshje, sepse gjëja më e rëndësishme në futboll është fitorja. Ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë, por në futboll nuk është e lehtë, megjithatë përpjekjet tona nuk do të mungojnë”, thotë Gliha.

54-vjeçari nga Lubjana ka udhëhequr Slloveninë U21 para se të vinte te Kosova. Ishte edhe te Sllovenia U19, ndërsa në këtë vend ka drejtuar skuadra si: Olimpija, Drava Ptuj, Gorica, Mura e Koper. Si lojtar ka luajtur 28 ndeshje për Slloveninë dhe ka realizuar dy gola.

Ai ka treguar se shërbimin ushtarak në Kosovë e ka kryer në Aeroport, gjatë viteve 1987 e 1988. Tani e ka rastin ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës.

Natyrisht që jam krenar, sepse të jesh përzgjedhës është e rëndësishme për çdo trajner që punon në futboll. Është një nder shumë i madh, por gjëja më e rëndësishme është që të kesh sukses”, thekson Gliha.

“Shpresoj të krijojmë atmosferë të mirë para ndeshjes me Jordaninë, por nuk kemi shumë kohë sepse është vetëm një stërvitje. Dhe shpresoj që kundër Jordanisë të kemi energji të mirë, shpirt. Është ndeshje miqësore, por shumë, shumë e rëndësishme pasi është bazë për takimin kundër Greqisë”.

Kosova është plotësisht jashtë objektivave në eliminatoret e Botërorit 2022. Është e fundit në grup me 4 pikë nga shtatë ndeshje. Katër pikë i ka edhe Gjeorgjia. Kështu që ndeshja me Greqinë do të jetë më e rëndësishme për të ardhmen e përfaqësueses sesa për të tashmen. Po ashtu për statusin e sllovenit Gliha te Kosova. Ai erdhi pa shumë bujë te Kosova, por ka rastin të bëjë tifozët për vete.