Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Krasniqi: Nuk e kam humbur meçin, gjyqtarët nuk ishin korrektë

Boksieri shqiptar Robin (Haxhi) Krasniqi vlerëson se e ka merituar fitoren në përballjen me Dominic Boesel, që u zhvillua në orët e hershme të së dielës.

Krasniqi pësoi me vendim të gjyqtarëve nga Boeseli në luftën për titullin e botës në versionin IBO në peshën gjysmë të rëndë në boksin profesionist. Kjo luftë ishte edhe eliminatore për titullin WBA. Dy nga gjyqtarët ia dhanë fitoren Boeselit (115:114 dhe 116:112), ndërsa njëri Krasniqit (115:114).

“Unë nuk kam humbur, kam udhëhequr, por urime Dominicut që është rikthyer aq i fortë. Duhet ta shikoj këtë sërish, por kurrë nuk besoj se e kam humbur këtë duel. Mëkat që gjyqtarët nuk ishin korrektë. Nuk është fer. Isha më i mirë. E kisha të qartë se vetëm me nokaut mund ta fitojë”, tha Krasniqi.

Ndërkohë Boeseli ka thënë se fitorja e tij ishte e merituar. Ai ka thënë se meçi ishte i ngushtë, por ai i pat goditjet më të sakta, ndërsa tha se çelësi ishte mbrojtja e mirë.

Ishte meçi i dytë mes Krasniqit e Boeselit. Në përballjen e parë më 10 tetor të vitit të kaluar, Krasniqi kishte fituar me nokaut në raund të tretë, duke ia fituar Boeselit titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA dhe atë IBO.

Për Krasniqin është humbja e shtatë në karrierë karshi 51 fitoreve. Boeseli ka shënuar fitoren e 32-të karshi dy humbjeve.