Ndeshja e së martës në Ligën e Kombeve ndërmjet Zvicrës dhe Ukrainës është anuluar pasi gjashtë futbollistë ukrainas kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus, ka njoftuar Federata e Futbollit të Ukrainës. Federata tha se me anë të një njoftimi ishte informuar nga UEFA se ndeshja “nuk mund të zhvillohet” pasi autoritetet shëndetësore zvicerane morën vendimin “për të karantinuar të gjithë delegacionin e ekipit kombëtar të Ukrainës”.
Vendimi për rezultatin e ndeshjes, që ishte planifikuar të zhvillohej në Luzern sonte prej orës 20:45, do të merret nga UEFA. Në rast se nuk mund të gjendet një termin tjetër, atëherë Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës do të marrë vendimin për këtë çështje.
Më herët, të martën, organi drejtues i futbollit ukrainas tha se gjashtë lojtarë të ekipit kombëtar ishin testuar pozitivë për koronavirusin përpara se të njoftonte për vendimin e UEFA-s që anuloi ndeshjen. Mesfushori i ekipit nga Serie A, Atalanta, Ruslan Malinovskyi dhe dy futbollistët e Shakhtar Donetskut - Sergiy Kryvtsov dhe Junior Moraes – ishin të prekur nga virusi dhe u vetizoluan në hotelin e Ukrainës në Zvicër. Ndërsa të hënën tre lojtarë tjerë të Ukrainës - portieri Dmytro Riznyk, mbrojtësi i majtë Eduard Sobol dhe mesfushori Yevgen Makarenko - rezultuan pozitivë. Kryvtsov dhe Moraes tashmë kanë rënë në kontakt me koronavirusin dhe kanë antitrupa, shtoi federata ukrainase duke bërë të ditur se UEFA ka lejuar që të luante por autoritetet lokale të Zvicrës ua ndaluan lojtarëve të prekur që të merrnin pjesë në një ngjarje ekipore.
“UEFA, UAF dhe Federata e Futbollit të Zvicrës ishin gati për ndeshjen, por ndalimi nga autoritetet lokale bëri që kjo ndeshje të anulohej”, shkruante ndër të tjera në njoftimin e Federatës ukrainase.
Skuadra e përzgjedhësit Andriy Shevchenko është prekur keq nga koronavirusi, pasi katër futbollistë të tjerë rezultuan pozitivë para ndeshjes me Gjermaninë të shtunën e shkuar, të cilën Ukraina e humbi me rezultatin 3:1. Krahas Ukrainës, edhe te Zvicra nuk e kanë mirëpritur lajmin për anulimin e ndeshjes së rëndësishme të Ligës së Kombeve. Këtë e ka pranuar edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq.
“Ne ishim gati, ekipi ishte shumë i motivuar pas ndeshjeve të fundit dhe në formë shumë të mirë. Ne me të vërtetë e prisnim këtë lojë. Fatkeqësisht gjërat kanë dalë ndryshe dhe ne nuk mund të ndikojmë në këtë. Ne dëshirojmë që lojtarët dhe anëtarët e stafit të Ukrainës që dolën pozitivë, që të gjithë të shërohen. Ne jemi futbollistë dhe gjithmonë duam të fitojmë në fushë. Fatkeqësisht nuk e kemi më këtë mundësi”, është shprehur Petkoviq.
Në muajin e shkuar Ukraina ishte e detyruar ta përfshinte ndihmëstrajnerin 45-vjeçar, Oleksandr Shovkovskiy, në skuadër për ndeshjen miqësore kundër Francës pasi një numër lojtarësh, përfshirë dy portierë, rezultuan pozitivë me koronavirus. Ukraina është e treta në Grupin 4 të Ligës A të Ligës së Kombeve me gjashtë pikë të tubuara, tri më shumë se Zvicra që është e fundit dhe po lufton për t’i ikur rënies në një rang më poshtë. Me fitore eventuale ndaj Ukrainës, Zvicra do të siguronte pjesëmarrjen edhe edicionin tjetër të Ligës së Kombeve në Ligën A.
Te Zvicra për këtë ndeshje ishin të përfshirë katër futbollistë shqiptarë: kapiteni Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi e Pajtim Kasami.