Mes një shpërthimi të koronavirusit në të gjithë Evropën, pushimi ndërkombëtar i futbollit dëshmoi të ishte një sukses i dukshëm për përfaqësueset, ka shkruar AP të premten. Faza e grupeve me 162 ndeshje të Ligës së Kombeve u përfundua këtë javë me vetëm dy ndeshje të anuluara dhe formatin e turneut final tashmë të konfirmuar.
Belgjika e rangut të lartë dhe kampionet e fundit të botës, Franca, Spanja dhe Italia, u kualifikuan për një miniturne që mbahet tetorin e ardhshëm, në një garë që ende po lufton për pranim në një kalendar të mbingarkuar futbolli.
Sidoqoftë, dhjetëra lojtarë janë kthyer nga detyra me përfaqësueset të infektuar me koronavirus ose po përballen me periudha karantinimi përpara ndeshjeve kampionale të këtij vikendi, duke nxitur tensionet e pafundme mes klubeve dhe përfaqësueseve. Gjithashtu ka lojtarë që janë kthyer nëpër ekipet e tyre edhe të lënduar, situatë aspak e mirëpritur kjo.
“Situata aktuale nuk është e pranueshme si për ligat ashtu edhe për klubet”, ka thënë kreu i Bundesligës së Gjermanisë, Christian Seifert. “Futbollistët po kthehen të infektuar ose të lënduar, por ka edhe prej tyre që duhet të karantinohen. Kjo po u kushton klubeve në kampionat”.
Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës, rinisin me ndeshje javën e ardhshme. Megjithatë, kishte disa shpërblime të menjëhershme për mbajtjen aktive të përfaqësueseve të Evropës mes një krize të shëndetit publik. Katër vendet e zbrazëta për Kampionatin Evropian, që mbahet vitin tjetër, u konfirmuan, si dhe u ruajt integriteti i vazove për shortin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që do të tërhiqet më 7 dhjetor.
Edhe
Përfaqësueset e mëdha do të ndahen nga të voglat në kualifikimet e Botërorit
Turneu final
Për pjesën më të madhe të Evropës, xhirot e fundit të Ligës së Kombeve kishin të bënin me promovimin dhe rënien midis katër niveleve të kësaj gare – Liga A, B, C dhe D. Për katër ekipe elitare ka një trofe shtesë për të cilin duhet luajtur. Italia do të presë një miniturne në muajin tetor për të kurorëzuar kampionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Dhe, për kampionin do të ketë shpërblime me para shtesë.
“Pas kualifikimit në turneun përfundimtar, natyrisht që synimi është të triumfojmë në Ligën e Kombeve edhe pse nuk do të jetë lehtë”, ka thënë përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini. “Po ashtu gjatë kësaj kohe kemi pasur edhe probleme me ekipet që janë ankuar vazhdimisht për lojtarët që i kemi ftuar”.
Në edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve, Përfaqësuesja e Portugalisë, që triumfoi, u shpërblye me 10.5 milionë euro. Zvicra, që përfundoi e katërta, mori shtatë milionë euro. Turneu final i edicionit të dytë të Ligës së Kombeve ishte planifikuar të mbahej në qershor të vitit të ardhshëm, por u shty për në muajin tetor shkaku i Evropianit. Përhapja e koronavirusit në Evropë ndikoi në shtyrjen e këtyre aktiviteteve.
Kualifikimet e Kampionatit Botëror
I zhveshur nga ceremonia e zakonshme shkëlqyese, shorti i grupeve kualifikuese të Evropës për Botërorin e vitit 2022 do të jetë modest për epokën e pandemisë COVID-19. FIFA do të mbajë këtë ngjarje në selinë e saj pa përzgjedhësit e përfaqësueseve pjesëmarrëse dhe mediumet ndërkombëtare.
“Situata me pandeminë na detyron që shortin ta mbajmë në selinë tonë dhe pa praninë e ndokujt”, ka thënë shkurt FIFA në një përgjigje të saj.
Edhe
Turneu final i Ligës së Kombeve, mundësi për katër përfaqësueset e përfshira
Vazot jozyrtare përfshijnë përfaqësueset si Belgjika, Franca, Anglia, Portugalia, Spanja, Italia, Kroacia, Danimarka, Gjermania dhe Holanda në të parë. 55 ekipet do të vendosen në pesë grupe me nga pesë ekipe, dhe pesë të tjera me nga gjashtë ekipe. Ka gjithashtu disa kufizime të sigurisë, duke përfshirë ndarjen e Rusisë dhe Ukrainës, si dhe të Serbisë dhe Kosovës. Dhjetë fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt në turneun e vitit 2022, që do të mbahet në Katar. Ndërsa tri vende të tjera do të vendosen në ndeshjet e plejofit që do të mbahen në muajin mars të vitit 2022.
Rastet me virus
Ukraina pritet të ndëshkohet nga UEFA për dështimin që të përballet me Përfaqësuesen e Zvicrës në Ligën e Kombeve, të martën mbrëma. E gjithë skuadra e Ukrainës u vu në karantinë nga zyrtarët shëndetësorë zviceranë pasi disa lojtarë rezultuan pozitivë në testet për koronavirus.
“Ne ishim të gatshëm për ta luajtur ndeshjen, gjithashtu edhe Zvicra dhe UEFA por institucionet shëndetësore zvicerane nuk lejuan një gjë të tillë”, ka thënë trajneri i Ukrainës, Andriy Shevchenko.
Ukraina pritet ta humbë ndeshjen me rezultatin zyrtar (3:0), ashtu siç e humbi Norvegjia që të dielën dështoi për të dërguar një ekip që të luante në udhëtim kundër Rumanisë shkaku i rasteve që kishte me koronavirus. Dhe pikërisht kjo humbje me rezultat zyrtar mund ta zbresë Ukrainën në Ligën B të Ligës së Kombeve, në vend të Zvicrës.
Klubet kundër përfaqësueseve
Çdo klub elitar i Evropës ishte i detyruar nga FIFA që t’i lejonte futbollistët për dhjetë ditë që të bashkoheshin me përfaqësueset për ndeshje zyrtare në Evropë, Amerikën e Jugut, Afrikë, si dhe për duele miqësore. Shumë lojtarë janë kthyer nëpër klubet e tyre me infeksione ose kufizime karantine. Një rezultat pozitiv i testit për koronavirus derisa ishte me Uruguain për kualifikimet e Kampionatit Botëror ka detyruar Luis Suarezin që t’i mungojë Atletico Madridit për ndeshjen kundër Barcelonës, ish-ekipit të tij. Te Atletico nuk e kanë pritur aspak mirë këtë lajm pasi Suarez llogaritet ndër lojtarët kryesorë të ekipit.
Edhe
Infantino shpreh dëshirat e FIFA-s për ngjarjet e reja
“Është e papranueshme për ne si ekip që lojtari të kthehet i infektuar dhe të mungojë për disa ndeshje, ndër to edhe ajo kundër Barcelonës. Në këtë kohë pandemie nuk është dashur që klubeve t’u kërkohet t’i lirojnë futbollistët, sepse pastaj po kanë probleme të natyrave të ndryshme”, ka thënë trajneri i Atleticos, Diego Simeone.
Autoritetet e futbollit po shpresojnë që fotografia me COVID-19 të jetë dukshëm më e mirë kur kualifikimet e Kupës së Botës do të fillojnë në muajin mars të vitit tjetër.