Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

16-vjeçari Maluach, njëri prej më të rinjve që ka luajtur në Botërorin në basketboll

Basketbollisti 16-vjeçar i Sudanit Jugor, Khaman Maluach, ka shënuar një pikë ndërsa luajti 17 minuta në fitoren 89:69 ndaj Kinës, të hënën. Me paraqitjen në fitore, Maluach është bërë njëri prej basketbollistëve më të rinj që kanë luajtur ndonjëherë në Kupën e Botës.

Basketbollisti i gjatë 216 centimetra, që pritet të përfshihet në draftin e NBA-së në vitin 2025, i mbush 17-vjet muajin e ardhshëm. Të vetmit basketbollistë më të rinj që janë paraqitur në histori të Kupës së Botës janë Georges Lath i Bregut të Fildishtë dhe Gao Ailun i Kinës.

Lath në Botërorin e vitit 1986 luajti me 16 vjet e tre muaj. Në Botërorin 2010, kinezi Ailun luajti me 16 vjet e nëntë muaj.

Maluach i kishte edhe gjashtë kërcime, një asistim dhe dy bllokada. Sudani Jugor po debuton në ngjarjen globale, ndërsa mori fitoren e madhe ndaj Kinës. Në ndeshjen e parë kishte humbur 101:96 nga Porto Riko, pas vazhdimit. Në atë ndeshje gjiganti 16-vjeçar ishte në stol, por nuk u aktivizua.

Më 30 gusht Sudani Jugor luan ndaj Serbisë në ndeshjen e fundit në grup.

Edhe Fitorja e parë për Sudanin Jugor Sport Fitorja e parë për Sudanin Jugor

Maluach është anëtar i akademisë “NBA Africa” në Senegal. Akademisë iu bashkua në vitin 2021, dy vjet pasi nisi të luante basketboll më seriozisht, derisa ishte duke jetuar në Uganda. Më herët këtë muaj u shpall lojtari më i vlefshëm i një kampi të NBA-së në Afrikë. Ai ka oferta të shkollimit nga kolegje të njohura në SHBA. Por mund të kalojë direkt në NBA.

“Lojtarët tanë i janë përmbajtur planit të lojës deri në fund. Të gjithë 12 lojtarët e kryen punën e tyre. Kanë luajtur me emocion, kanë luftuar, kanë luajtur me zjarr. Kemi garuar për 40 minuta dhe fituam në fund. Përgëzime për lojtarët. Jam shumë i lumtur për ta, për fitoren e parë në Botëror. Për këtë shtet të ri, për njerëzit në Sudanin Jugor. E di që të gjithë janë të entuziazmuar. Ne morëm një fitore, por nuk do të ndalemi. Do të fokusohemi tani për ndeshjen tjetër”, ka thënë trajneri i Sudanit Jugor, Royal Ivey.