Nëpër hapësirat publike të Prishtinës janë vendosur shporta që janë punuar nga të burgosurit e burgut të Dubravës. Aftësimin në këtë zanat e kanë marrë me anë të trajnimeve ku edhe janë certifikuar me standarde ISO.
Brenda këtyre mureve të privuar nga liria, janë këta të burgosurit e Qendrës Korrektuese në Dubravë të cilët janë duke prodhuar shporta për Komunën e Prishtinës dhe atë të Istogut.
Shumë prej tyre kanë shkuar aty pa asnjë njohuri a profesion.
Kurse tash, me anë të trajnimeve janë certifikuar më standarde ISO në saldim e zanate të tjera.
Këtë projekt të burgosurit po e shohin si mundësi të mirë.
Mundësia për të punuar diçka në të mirë të komunitetit ka bërë që me shumë përkushtim t’i punojnë këto shporta e shume objekte të tjera nga metali.
Një nga të burgosurit këtu tregon se tashmë i ka ambiciet për t’u zhvilluar në këtë profesion edhe kur të dalë në liri.
Ky projekt i Qendrës Korrektuese në Dubravë është realizuar me mbështetjen e organizatës “Help Kosova” dhe bashkëpunimin e Komunës së Prishtinës.
Ismet Fekaj, udhëheqës i instruktorëve dhe trajnime në burgun e Dubravës tregon për hollësitë e këtij projektit.
Deri më tani janë punuar mbi 180 shporta të cilat janë vendosur nëpër hapësirat publike të Prishtinës dhe së fundi edhe 20 për Komunën e Istogut.
Lënda e parë për shportat e mbeturinave u është siguruar nga organizata “Help Kosova”.
Pjesën e dizajnit e të prodhimit e kanë kryer vetë të burgosurit kurse montimin e tyre në hapësirat publike e ka kryer Komuna e Prishtinës.
Rrezart Shala nga “Help Kosova” tregon për bashkëpunimin me Qendrën Korrektuese të Kosovës, dhe për punëtori të tjera si kjo në burgun e Dubravës.
Në këto trajnime janë aftësuar mbi 20 të burgosur, e janë pajisur edhe me certifikata të cila vlejnë edhe jashtë Qendrës Korrektuese në Dubravë.