SOT

Recetë e veçantë, fli shehri me mazë katuni

Profesionin e kuzhinieres e ushtron në lokalin “Sofra Tradicionale”.

Është kjo Selvete Krasniqi, e cila në mesin e ushqimeve të shumta që i gatuan aty, flija mbetet ai që e përgatit me më së shumti dëshirë.

Uji, mielli, kripa e maza janë përbërësit nga të cilët gatuhet ky ushqim i dashur për shumëkënd.

Teksa ajo e bën përzierjen e miellit me ujë e kripë, në atë mënyrë e llogarit se sa fli mund të gatuajë me atë masë.

Edhe pse flija e ka një recetë më të thjeshtë, rezultati është tejet i shijshëm, tregon Krasniqi.

Të gatuhet ky ushqim kërkon më shumë punë marrë parasysh se përgatitet rende-rende të cilat piqen veç e veç me anë të saçit.

Në të kaluarën, saçet janë ngrohur me anë të djegës së drurit, e tani ka edhe të tillë me energji elektrike të cilët përdoren në kuzhinën e “Sofrës Tradicionale”, por që nuk ia ndryshon shijen aspak.

Një rol të veçantë në gatimin e edhe shijen e flisë e ka maza. Ajo e fshatit i jep këtij ushqimi atë shijen që e njohin të gjithë që e adhurojnë flinë.

Pas secilit rend me masën e brumit, Krasniqi ia vendos mazën, duke mos e kursyer, sepse sipas saj, kjo i jep shijen më të mirë.

E për këtë te “Sofra Tradicionalë” flija e mban emrin “Fli e qytetit me mazë të katundit”.

Për të gatuar një fli mesatare, Krasniqi tregon që mund të marrë deri në tri orë kohë. Mirëpo, ajo thotë që është ushqimi i saj i preferuar, edhe ta shijojë e edhe ta gatuajë. Edhe më shumë kënaqësi ka kur komentet e konsumatorëve janë të pozitive.