Prej disa ditësh Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë ka nisur zbatimin e programit të ri “Kujdesi grupor për prindërim”.
Në njërën nga dhomat e këtij institucioni tashmë çdo ditë takohen gra shtatzëna dhe nëna të reja, të cilat informohen për mënyrat më të mira të kujdesit ndaj fëmijëve dhe shëndetit të tyre.
Drejtori i QKMF-së, Naser Bajgora, thekson se ky shërbim po mirëpritet nga qytetarët dhe se ishte më se i domosdoshëm, duke qenë se më herët mungonte një program i tillë edukues për prindërit e rinj.
“Ambienti ku ndodhemi tash po shfrytëzohet për nevojat e programit të ri që e ka QKMF këtu në Podujevë. Program ky që po u hyn në punë grave që presin të bëhen nëna dhe atyre që janë tashmë për t’u informuar për mënyrën se si të kujdesen për fëmijët dhe shëndetin e tyre. Ky program në qendrën tonë jepet falas në çdo ditë pune dhe është pritur mjaft mirë nga qytetarët. Mendoj se ka qenë i domosdoshëm ky shërbim që deri sot nuk e kemi pasur as në QKMF, por as në qendra tjera të mjekësisë familjare”, deklaron Bajgora.
Dhoma e prindërimit është e pajisur me kënde edukative, ku përmes kukullave- foshnja, infermieret demonstrojnë në mënyrë praktike kujdesin e duhur për të porsalindurit.
“Siç po e shihni këtu e kemi dhomën me ulëset ku zakonisht vijnë nënat e reja e edhe gratë shtatzëna. Unë përballë tyre mundohem që t’i informoj e t’u jap këshilla për kujdesin prindëror dhe mënyrën se si mund t’i rrisin fëmijët sa më shëndetshëm. Deri tash ka nëna që janë të interesuara, por me ditë presim edhe më shumë të vijnë dhe ta kuptojnë rëndësinë e këtij shërbimi”, deklaron infermierja Florije Abdullahu-Maliqi.
Programi “Kujdesi grupor për prindërim” është falas dhe synon të përfshijë jo vetëm gratë, por edhe burrat, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë aktive e procesit prindëror.
“E kemi një shërbim të ri që është dhoma për prindërim, ku vijnë nënat e reja dhe gratë shtatzëna. E kemi përuruar dhomën dhe e kemi caktuar edhe koordinatoren infermiere, e cila e ka për obligim të kujdeset për këto nëna dhe me u dhënë informata se si duhet të kujdesen për fëmijët. Këtu bëhet edhe kujdesi ndaj fëmijëve, informohet mbi gjidhënien e vaksinimin. “Kemi bisedu edhe me koordinatoren që në trajnimet vijuese do të jenë prezentë edhe baballarët pasi, siç e the edhe vetë, prindërimi nuk i përket vetëm nënës, por edhe babait, për shkak edhe të angazhimit edhe të nënave që te kenë edhe ata një rol kyç në rritjen e fëmijëve”, deklaron drejtoresha e Shëndetësisë, Adelina Stublla.
Stafi i QKMF-së në Podujevë shpreson që ky program të ndikojë pozitivisht në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimin e edukimit prindëror në komunitet.