Premtues për garat sportive botërore. Ky është Alban Berisha nga Prizreni, i cili ka thyer çdo pritshmëri sa u përket sporteve ekstreme.
Brenda një harku kohor nëntëvjeçar, ai rrëmbeu mbi 160 medalje, prej tyre, disa në garat ndërkombëtare.
Disiplinën sportive “Hill Climb” e nisi në Kosovë, por synimet e tij janë për garat jashtë kufijve.
Këtij sporti Berisha ia kushton një pjesë të madhe të kohës. Përgatitja fizike, kontrollet teknike të veturës e veshjet adekuate sportive për të luajnë rol mjaft të rëndësishëm.
9 vjetëve jam bërë 7 herë kampion. Kam garuar në Shkup, Mal të Zi, Slloveni, ku e kam marrë vendin e parë dhe do të vazhdoj kështu. I kam rreth 160 medalje, ku shumica prej tyre janë vende të para, ndërsa vendet e dyta i kam marrë vetëm atëherë kur kam pasur defekte me makinë. I mendoj edhe garat jashtë shteti, por më duhet ndihma e shtetit sepse është sport i shtrenjtë”, tha Berisha.
Ai thekson se çelësi i suksesit arrihet me përkushtim dhe këmbëngulje për fitoren. Rekomandon që adrenalina e shpejtësisë në vozitje të praktikohet vetëm në terrenet garuese të këtij sporti.
“Këto gara janë të mira për ata që e adhurojnë shpejtësinë dhe kjo është mënyrë e mirë që të mos e rrezikojnë komunikacionin por të marrin pjesë në gara dhe ta praktikojnë shpejtësinë vetëm në gara. Para garës e kontrolloj veturën teknikisht se a është mirë, pastaj mundohem për të qenë i çlodhur sepse shumë ndikon në gara. Para se të fillojë me automobilizëm, jam rritur me motoçikleta, pasi që nuk ka pasur gara në atë kohë me motoçikleta, i kam filluar garat me vetura dhe që nga ajo kohë kam mbetur në veturë. Nëse mbahen garat me motoçikleta, do të provoj edhe aty”, pohoi ai.
Para se të dalin garuesit në gara, Fatos Krasniqi, përgjegjës teknik i veturave sportive, kujdeset për gjendjen e tyre, i kontrollon dhe i rregullon ato në raste.
“Jam përgjegjës i klubit AMTKK, ku i kontrolloj dhe i rregulloj veturat sportive para dhe pas garave. Vetura duhet të jetë e homologuar, duhet të jenë pajisjet e tjera në rregull, duke përfshirë edhe rrobat adekuate për vozitje, helmetën e qaforen. Së pari e kontrollojmë punimin e motorit, ndërruesin e shpejtësive, rrotat, amortizerat. Prishjet e zakonshme janë frenat, balancimi i rrotave, vaji, etj. Krahas veturave standarde, veturat e këtij lloji të sportit janë më ndryshe, duke filluar nga motori, gomat, ndërruesi i shpejtësive”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi shton se asnjë veturë sportive nuk duhet të marrë pjesë në gara pa u kontrolluar nga ana teknike tek automekaniku.
Albani gjithashtu ushtron detyrën e kapitenit në kartingun e AMTKK-së, ku stërvit garues nën moshën 18 vjeç. Ku i përgatit për llojet e disiplinave për sportet që ata i duan në të ardhmen.
“Pasi që 9 vjet jam në këtë sport, jam bukur i aftë në këtë lami dhe tani e ushtroj punën e kapitenit në ketë sport nga kartingu në motoçikleta dhe automobilizëm”, shtoi Alban Berisha.
Pilotë të kartingut pretendojnë që në të ardhmen të depërtojnë edhe jashtë kufijve.
“Në të ardhmen shpresoj të merrem më garat në slalom, pastaj më përfunduar karrierën me garat malore. Ideja më ka ardhur nga meraku që kam për shpejtësinë dhe nuk kam pasur dëshirë të bëj ndonjë aksident në rrugë, për këtë jam kyçur në këtë sport”, tha Redon Morina, pilot kartingu.
“Vij nga familja e garuesve, jam në disiplinën karting, për momentin jemi të inkuadruar në garë. Në garën e fundit në karting e kam marrë vendin e parë dhe në garën e ardhshme shpresoj të kemi rezultate sa më të mira”, shtoi piloti tjetër Dren Mariqi.
Pasioni për motorët dhe sportet ekstreme është në rritje çdo ditë e më shumë, e për këtë edhe institucionet kanë filluar që ta përkrahin sportin.
“Sporti në Prizren është shumë i zhvilluar. Ne si Drejtori po mundohem që të jemi përkrah tyre, sepse Prizreni shquhet për sportistë të dalluar, sikurse për sporte kolektive, ashtu edhe për sporte individuale. Në qytetin e Prizrenit zhvillohen më shumë se 20 lloje të sporteve, duke filluar nga basketbolli, futbolli, çiklizmi, automobilizmi e shumë të tjera, ku të gjitha këto sporte përkrahen nga Drejtoria e Komunës së Prizrenit”, ka thënë Adem Morina, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit.
Sporti po e bën që Kosova të njihet në mbarë botën.