Dren Mariqi nga Prizreni është vetëm 21-vjeç dhe po shkëlqen në garat malore me vetura.
Ai tashmë është bërë emër i njohur në këtë sport, të cilin e praktikon që 3 vjet.
Mariqi garon në kategorinë E 1-1400, në disiplinën malore, e cila sipas tij kërkon shumë eksperiencë dhe guxim.
“Garoj në kampionatin e Kosovës, e cila organizohet nga Federata e Kosovës, në garat malore me vetura. Unë garoj në kategorinë E 1 -1400, kategorinë e parë. Marr pjesë në disiplinën malore, e cila është shumë e vështirë sepse duhet eksperiencë e madhe për të garuar. Garat e këtij sporti janë të vështira edhe nga ana financiare. Si kategori është e mirë për të rinjtë. Në disiplinën malore kam marrë pjesë rreth 40 gara, që tre vjet. Më e mira që më ka mbetur në mendje është në Brezovicë, Mal të Zi dhe në Maqedoni edhe pse kam pasur një aksident. Në Brezovicë kam qenë i pari, Mal të Zi kam dalë i dyti dhe në Maqedoni kam pasur aksident edhe pse në prova kam dalë i dyti. Edhe pse ndodhin aksidentet e mia është të mos ndalemi sepse fiton ai që nuk dorëzohet”, thotë Mariqi.
Sportisti thekson se për t’u inkuadruar duhen investime me kosto të larta, e që shpesh nuk janë të përballueshme për xhepin e të rinjve të cilëve u mungon mbështetja institucionale.
“Për inkuadrimin në gara me rroba, makinë e pajisje të tjera duhen deri në 5 mijë euro. Si sportist na duhet mbështetja e familjes, shoqërisë dhe e institucioneve. Edhe pse Komuna na ka mbështetur por jo aq sa duhet. Aktualisht e kam një sponsor por jam i hapur për më shumë sepse pa ta nuk mund të vazhdojë tutje. Edhe pse në garat ndërkombëtare e përfaqësoj Kosovën, nga Federata e Kosovës nuk marrim asnjë mbështetje, as një ndihmesë sado të vogël. Të gjitha i kryejmë me vetëfinancim”, thekson Mariqi.
Çdo veturë sportive duhet të jetë e kompletuar me pajisje adekuate për gara.
Pjesa e brendshme ka vetëm dy ulëse, e që shoqërohet me mbrojtëse ndërsa karakteristikë e veturave sportive është pjesa e jashtme, ku përveç hapësirave reklamuese, në një vend duhet të vendoset grupi i gjakut i çdo sportisti, kjo ndodh në rast aksidenti.
20-vjeçari studion e punon duke e ndjekur paralelisht edhe ëndrrën e tij, që janë garat malore me vetura.
“Unë si një 21-vjeçar studioj, punoj dhe e ndjek andrrën time. U them të gjithëve që të studiojnë, punojnë e t’i ndjekin ëndrrat e tyre. Gjithashtu u kisha bërë thirrje edhe meraklieve të shpejtësisë në vozitje që të marrin pjesë në gara e mos të bëjnë kaos në komunikacion, garat janë për shpejtësi të vozitjes”, deklaron Mariqi.
Deri më tani, prizrenasi ka marrë pjesë në 40 gara, prej tyre 10 ndërkombëtare, ku ka arritur të shënojë sukses dhe ta përfaqësojë Kosovën edhe jashtë kufijve.