Për ditë me radhë, Prishtina po renditet në top-pesëshen e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Përderisa ambientalistët thonë se në këtë po ndikojnë faktorë të shumtë, janë doktorët ata që bëjnë apel te qytetarët për mbajtje të maskave. Ajri i ndotur po ndikon keq te qytetarët si për sëmundje të mushkërive po ashtu edhe te personat e ndjeshëm ndaj alergjive.
E zhytur nën smog. Është pamja e Prishtinës nga periferia e saj.
Ka disa ditë që Prishtina po renditet në top qytetet me ajrin më të ndotur në botë.
Pas Indisë, Kinës e Maqedonisë së Veriut, ditëve të fundit Kosova është renditur në pesë shtetet me rrezikshmëri të lartë nga ajri i papastër.
Kjo po ndikon shumë edhe në shëndetin e qytetarëve, sidomos te personat që kanë sëmundje kronike.
Alergologia Luljeta Neziri- Ahmetaj thotë se ndotja enorme e ajrit po ndikon në hipersensitivitet të sistemit imunitar te qytetarët.
“Ka ndryshuar edhe koncepti i alergjisë. Tani është një hipersensitivitet i sistemit imunitar. Tani kemi edhe ndikimin e faktorëve të jashtëm në kuadër të funksionimit të sistemit imuintar. Prandaj duhet të bëhet një lidhje më e ngushtë ndërmjet këtyre faktorëve. Ndikon shumë fatkeqësisht shumë sepse bën çrregullimin e barrierës të traktit respirator, ndërsa tek ushqimet tek traktiti gastronal. Organizmi ynë nuk ka një portë hyrëse për të gjithë alergjenët, virusët e ndotjet. Këto ditë dimri kemi një çrregullim të ekspozimit të virusëve të ndryshëm në ambientet tona. Përveç gripit sezonal, tani kemi jo vetëm tipa të ndryshëm, por edhe koronavirusin që është bërë pjesë e jetës sonë”, thekson Neziri- Ahmetaj.
Sipas saj, Kosova hyn në top shtetet ku sëmundjet alergjike janë shumë të shfaqura.
“Kemi të dhëna konkrete me sëmundje alergjike. Kosova është e vendosur në grupin e shteteve ku janë të regjistruara prevalenca e sëmundjeve alergjike në botë. Kosova hyn në top shtetet ku sëmundjet alergjike janë prezentë. 16 për qind e fëmijëve tanë 13-14 vjeçe kanë të regjistruara simptoma të një astmë bronikale që shkojnë me koll, kelbazë, me pengesa respiratorë. Të gjitha këto janë të dhëna shqetësuese, por ajo që më shqetëson është ndotja e ajrit, sepse Prishtina po vendoset në top-qytetet me ajrin më të ndotur. Aktualisht Prishtina ka një cilësi të ajrit shumë të keq. Jemi në nivel të pestë dhe këtë po e kemi që disa muaj. Duhet të jetë shqetësim shtetëror për menaxhimin e shëndetit të popullatës në përgjithësi”, deklaron Neziri- Ahmetaj.
Doktoresha bën apel për mbajtje të maskave gjatë ekspozimit në ambiente të jashtme.
“Fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, ose personat me sëmundje kronike të mos dalin në periudha të caktuara kohore. Sot sipas rregullit të gjithë do ishte dashur të dalim me maska. Këto rrezikojnë traktin respirator e në rastet më ekstreme edhe kancer e sëmundje të zemrës”, thotë Neziri- Ahmetaj.
Ndotja e ajrit më së shumti ndikon te shëndeti i mushkërive. Për këtë arsye, gjatë sezonit dimëror në Kosovë rritet edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Ndotja e ajrit menjëherë reflekton në problemet respiratore. Mushkëritë janë pjesa e parë që ekspozohen ndaj ajrit të ndotur. Me rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit ne kemi një rritje të vizitave të pacientëve, sidomos ata me sëmundje kronike. Kur flasim për ndotjen e ajrit, duhet të kemi që jo çdoherë i prekë të gjithë njëjtë. Kemi një grup të popullatës që është më i ndjeshëm sidomos ata që janë me sëmundje kronike. Këta persona në momentin që ekspozohen në nivele të larta të ndotjes së ajrit menjëherë mund të ketë përkeqësim të sëmundjeve të tyre”, deklaron pulmologu Besim Morina.
Ai apelon për mosekspozim gjatë pikut të ndotjes së ajrit.
“Duhet të kujdesemi të mos ekspozohemi për kohë të gjata në ndotje. Ndotjen s’e kemi njëjtë gjatë gjithë ditës, në mëngjes, në mbrëmje. Këto kohë të pikut të ndotjes të qëndrojnë brenda dhe të mos hapin për ajrosje shtëpitë e tyre”, deklaron Morina.
Niveli i lartë i ndotjes së ajrit po ndodh nga ngarkesat e mëdha të veturave në Prishtinë.
Ekologu Shyqri Dumani thotë se ky është njëri nga faktorët kryesorë të ndotjes së madhe të ajrit në kryeqytet.
Përderisa, termoelektranat, sipas tij, janë tjetër faktor që po ndikon në rritjen e nivelit të ndotjes.
Se Prishtina është zonë e rrezikshme nga ajri i ndotur e tregojnë edhe shenjat që tash e disa kohë janë vendosur në disa pjesë të qytetit.
Në kuadër të promovimit të kryeqytetit pa makina, Komuna e Prishtinës paralajmëron për zonat më të rrezikuara nga ndotja e ajrit.