Gjithçka ka mbetur në gjysmë, ndonëse kanë kaluar 20 vjet.
Projekti për ndërtimin e Qendrës Protokollare në Parkun e Gërmisë në Prishtinë gjatë viteve ka kaluar nëpër procedurë të gjatë dhe të ndërlikuar, e cila përfshin vendime politike, çështje ligjore dhe shqetësime mjedisore.
Nisma për ndërtimin e Qendrës Protokollare ishte dhënë në vitit 2004, ndërsa punimet kanë filluar në mars të vitit 2005.
Megjithatë, gjatë përgatitjes së projektit, nuk u respektua Ligji i Planifikimit Hapësinor 2003/31. Ky ligj kërkonte përmbushjen e kushteve urbanistike dhe mjedisore, të cilat nuk u morën parasysh në këtë rast.
Lidhur me këtë çështje emisioni “Sot” ka dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Përgjigje të shkurtër me shkrim ka kthyer vetëm Kuvendi.
Edhe
Komuna e Prishtinës paralajmëron tender tre milionësh për sallën koncertale që kushton dhjetëfish më shumë
“Nuk ka vendim për ndërprerjen e punimeve. Projekti Qendra Protokollare Gërmia ka qenë çështje shqyrtimi në procedurë gjyqësore”, tha Burim Etemaj, koordinator për marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.
Driton Tafallari, inxhinier i ndërtimtarisë, thotë se ndryshimet politike dhe mospajtimet mes institucioneve të nivelit lokal e qendror, kontribuuan në ndërprerjen e mëtejshme të projektit.
“Ky objekt ka filluar në fillimet e viteve 2000, ndërsa në vitin 2005 ndaj këtij projekti është bërë një padi nga një grup i shoqërisë civile. Arsyeja ka qenë sepse është duke u ndërtuar në një zonë të gjelbër. Kjo padi është hedhur poshtë nga gjykata 5 vjet më vonë, me arsyetimin e mungesës së kompetencave nga shtruesit e padisë. Që 15 vjet ky objekt mbetet peng si një gërmadhë. Mendoj se urgjentisht duhet të bëhet diçka me këtë objekt. Mos të harrojmë se vlera investive, kontrata e cila është nënshkruar për këtë objekt ka qenë rreth 3.5 milionë euro”, tha Tafallari.
Projekti implikon të paktën tri institucione, e të cilat sipas Tafallarit do të duhej të koordinoheshin për mënyrat e funksionalizimit të tij.
“Arsyeja pse ka mbetur situata e tillë janë se është bërë një mikës i kompetencave. Gjykata në vitin 2009-10, ia ka kthyer kompetencat mbrapsht Parlamentit të Kosovës, që deri më tash nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë. Në anën tjetër objekti gjendet në tokën e komunës së Prishtinës, të cilët deshën apo jo, kanë hise në këtë objekt. Dhe në anën tjetër e kemi një zonë të gjelbër, të rëndësisë mjedisore, ku patjetër e kem të involvuar edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Mendoj se ky trekëndësh mes vete duhet të takohen dhe të bëjnë një planifikim për të mirën e qytetarëve. Iniciator i parë lidhur me këto ndryshime duhet të jetë Komuna e Prishtinës, sepse është më e shpejtë në marrjen e vendimeve”, tha ai.
Eksperti i ndërtimtarisë, Driton Tafallari, thekson se me një buxhet deri në 2 milionë euro mund të kryhet e gjitha.
Edhe
Tenderi 22-milionësh i restaurimit të Bibliotekës anulohet për së dyti
“Si kërkesë kemi që objekti të përshtatet me natyrën, të mbulohet me gjelbërim dhe drurë. Ka hapësirë të mjaftueshme vetëm na duhet ta gjejmë krijuesin e kreativitetit. Për ta përfunduar e gjithë objektin duhet një buxhet 1 milion ose 2 milionë euro, mirëpo ja vlen. Objekti rrezikshmëri në aspektin statik nuk ka, sepse betoni është i qëndrueshëm, por vetëm kem dëmtime të qëllimshme ose jo të qëllimshme, sepse është nën kontrollin e askujt”, deklaroi Tafallari.
Lokacionin ku është planifikuar ndërtimi i objektit, Tafallari e konsideron si hapësirë të përshtatshme për të rinjtë, kryesisht për aktivitetet e tyre sportive.
“Ky është një aset shumë i rëndësishëm dhe i vlefshëm për Komunën e Prishtinës, por edhe për krejt Kosovën. Jem duke folur për një objekt me dhjetëra, mijëra metra katror, të cilit nëse i bëhet një investim mundet me qenë jashtëzakonisht i vlefshëm sidomos për të rinjtë e Kosovës. Këtij objekti duhet t’i ndërrohet destinimi dhe të shndërrohet në një zonë sportive-rekreative, mbajtjen e trajnimeve apo seminareve që kanë të bëjnë me sportin”, tha ai.
Qendra Protokollare në Gërmi në gjendjen e tashme paraqet rrezik për qytetarët, meqë është shndërruar në strehë të përdoruesve të drogave, e edhe e qenve endacakë. Qytetarët kërkojnë të merret vendim – për renovimin ose rrënimin e objektit.
“Ky objekt e shëmton Parkun e Gërmisë, këtij objekti duhet t’i jepet një zgjidhje ose të rrënohet ose t’i jepet një destinacion i ri. I cili mendoj se duhet të jetë për rini, për argëtim ose gjatë verës më shfrytëzu fëmijët. Ose të rrënohet e të kthehet në gjendjen e mëparshme”, tha qytetari Ismet Kelmendi.
Edhe
Instituti miraton me kushte projektin ideor për tregun në Prishtinë
“Objekti mund të shfrytëzohet për atë që është destinu. Pra me qenë një objekt në të cilin zhvillohen takimet e rëndësishme, për ndonjë institucion të rëndësishëm. Në këtë rast i bëj thirrje kryetarit të Komunës, Përparim Rama që të mendoj edhe për shtigjet e gërmisë jo vetëm për shtigjet e asfaltit”, tha qytetari Armend Jashari.
Qendra Protokollare në Gërmi aktualisht ka mbetur në pritje të zbatimit të vendimeve përfundimtare për funksionalizimin e projekteve.