Kulturë

Salla koncertale bllokohet pa 20 milionët e BE-së, pret shansin e radhës

Salla Koncertale - projekti

“Mendojmë ta tenderojmë ndërtimin në fund të vitit që në mars të vitit 2024 ta nisim ndërtimin”, kishte thënë kryetari Përparim Rama në mars të vitit 2023 derisa i kishte bërë nikoqirllëk arkitektit japonez, Kengo Kuma. Në janarin e vitit 2025, nisja e punimeve është ende larg

“Projekti është i gatshëm. Kemi pasur zotime nga fondet evropiane IPA për financim deri në 20 milionë. Mirëpo si rezultat i masave të padrejta të vendosura ndaj Republikës së Kosovës, këto fonde janë humbur”, ka thënë të enjten kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke e rikonfirmuar këtë e tërthorazi edhe faktin se nisja e punimeve që ish-“Gërmia” të shndërrohet në sallë koncertale, është ende larg. Tash Komuna thotë se po diskuton “seriozisht me komunitetin evropian” që ta përfshijë projektin në IPA 2025-2027. Kjo e shtyn edhe më, nisjen e punimeve të paralajmëruara kaherë

“Seriali” me mundësinë e një salle koncertale në Prishtinë ka pasur disa episode prej se është hedhur ideja që hapësira e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” të ndërrojë funksion. Episodet e radhës qenë ato kur u deshën katër vjet prej konkursit deri te definimi e miratimi i projektit që “Germinë” e bën qendër multikulturore “Evropa”, pjesë e së cilës është salla e koncerteve dhe ai që përshkruhet si muze i artit. Ndërtesa aktuale, dikur “Gërmia”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të jetë një lloj galerie a muzeu i qytetit. Kurse prapa saj do të marrë formë ndërtesa e re – salla koncertale.

E, tash episodet e “sezonit” të tretë kanë nisur me mundësinë e nisjes së punimeve. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të enjten në një konferencë për media ka thënë se janë humbur mjetet me të cilat mendohej të niste puna për implementimin e projektit të hartuar nga studioja e arkitektit japonez Kengo Kuma dhe ajo e arkitektit vendor Bekim Ramku. Në fakt, ka rikonfirmuar humbjen e mjeteve.

“Projekti është i gatshëm. Kemi pasur zotime nga fondet evropiane IPA për financim deri në 20 milionë. Mirëpo si rezultat i masave të padrejta të vendosura ndaj Republikës së Kosovës, këto fonde janë humbur”, ka thënë kryetari Rama. Ka thënë se me buxhet të Komunës është rivitaluzuar ndërtesa e “Gërmisë”. Ka thënë të jetë transformuar në hapësirë të artit dhe kulturës. Sa i përket sallës koncertale ka thënë se po bisedojnë për financim. 

“E po ashtu jemi duke diskutuar seriozisht me komunitetin evropian që të rishikojmë aspektin e fondeve të IPA-s që ta fusim më 2025-2027 mundësinë që të na e financojnë këtë projekt”, ka thënë ai. 

Ministria e Kulturës sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti ka ndarë 500 mijë euro për këtë projekt kurse për vitin 2026 ka paraparë 4.5 milionë e për 2027-n, 5 milionë. Po sipas këtij Ligji, Komuna e Prishtinës ka ndarë një milion euro për këtë vit për këtë projekt dhe për dy vjetët që vijnë janë paraparë nga një milion. Sipas tabelave të buxhetit Komuna deri më tash ka shpenzuar 250 mijë euro për ndërhyrje në ndërtesën e dikurshme të “Gërmisë”. 

Në pranverën e vitit 2024 projekti ideor ishte miratuar me kusht nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Udhëheqja e Komunës kishte planifikuar që në fillim të vitit 2024 të nisnin punimet, por gjërat s’kanë shkuar ashtu. Kostoja e ndërtimit është rritur goxha. Arsye për këtë është se volumi i krejt kompleksit kap mbi 19 mijë metra katrorë dhe në projektim është përdorur materiali më modern i mundshëm që hapësira të jetë sa më funksionale. 

Versioni i projektit ideor kishte 17 mijë e 226 metra katrorë. Krahas ndërtesës aktuale që shndërrohet në galeri, prapa saj do të jetë ndërtimi i ri, salla koncertale. Kapaciteti pritej të jetë prej 1.200 ulësesh. Një sallë më e vogël e quajtur auditorium pritet të ketë 400 ulëse. Por, me uljen e volumit si kërkesë e IKMM-së hapësirat janë ngushtuar. Do të ketë të paktën tri ambiente komerciale, kafehane e dyqane. Me versionin e fundit, atë të miratuar, salla qendrore prej 1.400 ulëseve do t’i ketë 800, kurse ajo alternative prej 400 ka ardhur në 170.

Kontrata midis Komunës së Prishtinës me projektuesit peshon fiks 1.6 milion euro. Prej tyre gjysmën e shumës, 825 mijë euro, do t’i paguante Komuna e gjysmën Ministria e Kulturës në bazë të Memorandumit të nënshkruar midis dy institucioneve në prill të vitit 2023.

Sipas projektuesve kostoja e implementimit të projekt shkon mbi 30 milionë euro. 

Pas deklarimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të enjten, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë lajm befasues humbja e fondeve. Sipas tij, kjo ka qenë e ditur tashmë dhe e bën të qartë faktin që ndërtimi i Sallës së Koncerteve do të marrë kohë. 

“Në rast se dikur kam qenë optimist se viti 2030 do ta gjente Prishtinën me Sallën e Koncerteve, tani më duket se ky afat do të shtyhet të paktën edhe për pesë vjet të tjera. 20 milionë euro janë të pamjaftueshme për Sallën, duhen më shumë fonde. Deri atëherë, shpresoj që të nisë rinovimi i Sallës së Kuqe dhe i Ateliesë së Pallatit të Rinisë, si një mundësi për të pasur kushte pak më të dinjitetshme për Filharmoninë e Kosovës dhe për skenën e muzikës në përgjithësi”, ka thënë Selimaj. 

Sa i përket sallës koncertale, goxha jehonë kishte bërë publikimi i projektit të ri në fund të gushtit të vitit 2023, kur kryetari Përparim Rama kishte publikuar imazhe të tij gjatë vizitës së tij në Japoni tek arkitekti Kengo Kuma. 

Komuna e Prishtinës e kishte konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Projekti i dyshes Kuma-Ramku për transformimin e ndërtesës, që gjendet në qendër të Prishtinës, ishte shpallur fitues në pranverën e vitit 2021. Por, ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.

Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të vitit 2023, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh por do të jetë lloj galerie a muzeu. Kishte kërkuar që salla të projektohet prapa ndërtesës aktuale. Ashtu edhe është vepruar. 

Projekti fillestar i dyshes Kuma e Ramku ishte përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare nëpërmjet konkursit publik nga Komuna e Prishtinës më 2021. 

Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 12 milionë euro që të zbatohej. Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka llogaritur edhe në përkrahje të fondeve të Bashkimit Evropian. Në vitin 2019 kishte humbur mundësinë e një fondi prej 12 milionë erosh për këtë sallë në mungesë lokacioni e projekti.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata. Nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale. Me projektin final është vulosur që ajo të bëhet galeri a muze e prapa saj salla e shumëpritur koncertale.