SOT

Obiliqi paguan transport për nxënësit brenda komunës dhe drejt Prishtinës

Vlera Krasniqi, nxënëse e klasës së 11-të nga Millosheva, ndjek mësimet në gjimnazin “17 shkurti”, në Obiliq. 

Edhe, Nina Ibrahimi nxënëse e klasës së 12-të nga fshati Raskovë, ndjekin mësimet në gjimnazin “17 shkurti”, në Obiliq. 

Ato nuk e kanë problemin e udhëtimin, sepse për këtë, Komuna e Obiliqit ka siguruar dy ‘kombibusa’, me të cilët bëhet bartja e nxënësve nëpër shkolla të fshatit.

“Jetoj në Milloshevë, komunë e Obiliqit. Që dy vjet e marr kompensimin e udhëtimeve nga Komuna. Kjo është lehtësim për mua dhe familjen time. Do të doja që çdo nxënës ta ketë mundësinë, që unë e kam, subvencionimin e udhëtimit dhe bursave, sot unë për herë të parë jam edhe përfituese e bursave për suksesin tim”, thekson nxënësja Vlera Krasniqi.

Edhe nxënësja Nina Ibrahimi thotë se bursat dhe subvencionet e udhëtimit u ndihmojnë shumë. “E kryejnë një pjesë të prindërve tanë, sa i përket shpenzimeve për ne”, deklaron ajo.    

Besa Gashi-Dvorani, drejtoreshë e shkollës “17 shkurti”, ka thënë se mbështetjet financiare të transportit dhe bursave janë shtysë dhe mbështetje e nxënëseve dhe prindërve. 

Shkolla gjithsej ka 290 nxënës me 10 paralele, 6 të drejtimit natyrore dhe 4 të drejtimit shoqëror. 

Shumica prej tyre e shfrytëzojnë transportin e dedikuar vetëm për shkolla të Obiliqit. 

Fitore Hashani, drejtoreshë e arsimit në Obiliq ka theksuar se çështja e transportit, praktikohet që nga viti 2013 dhe sugjeron që edhe komunat e tjera ta bëjnë një gjë të tillë. 

Përveç transportit nëpër fshatra, Obiliq paguan edhe udhëtimin e nxënësve të shkollave të mesme që vijojnë mësimet në kryeqytet. Por kjo vetëm për shkolla dhe drejtime që mungojnë në Obiliq.

Pagesa e udhëtimit nuk është obligim për shkollat e mesme. Sipas ligjit për mësimin parauniversitar komunat duhet të paguajnë transport për mësimin e obliguar në distanca më të largëta se 4 kilometra.