Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Nëna nga Krusha që i rriti e vetme 7 fëmijët e saj me anë të bujqësisë

Zona e Krushës njihet për kultivimin e specit, përpunimin e ajvarit dhe reçeleve të ndryshme, si dhe konservimin e turshive. Përmes kësaj storie do të shohim llojet e këtyre turshive, të cilat janë mjaft të kërkuara nga tregu vendor, si dhe ai i jashtëm.

Tokat krushiane janë në zë për kultura të ndryshme bujqësore, duke përfshirë përpunimin e konservimin e turshive dhe të ajvarit.

Miradije Ramadani është njëra ndër banorët e Krushës së Madhe që nga puna e bujqësisë i ka rritur e shkolluar 7 fëmijë e vetme, pasi që burrin ia kanë vrarë gjatë luftës.

Turshitë tradicionale janë burim financiar për familjen e saj, e cila po ashtu kontribuon në punët verore e vjeshtore.

Gjermania, Austria, Zvicra dhe Belgjika janë vendet që i kërkojnë më së shumti turshitë, ajvarin e reçelin, thotë Miradija.

“Vitin e parë pas luftës e kam pas shumë vështirë sepse kam qenë pa mashkull në shtëpi, ka qenë vit që nuk kam pasur asgjë, kemi jetuar si kemi mundur. Vitin e dytë e kemi mbjellë fidanin vetë dhe kemi dalë edhe në fushë të hapur, vajzat më kanë ndihmuar në mjetet e fushës, sikurse traktori dhe mjetet e tjera të fushës, rreth 7 vjet kemi punuar në bujqësi të hapur. Vajzat filluat të rriten, të shkollohen dhe mendova të merrem vetëm me konservimin e turshive, ajvarit e reçeleve në shtëpi. Nga viti në vit u rritën kërkesat e konsumatorëve dhe 5 vjetët e fundit arritëm ta hapim biznesi familjar të turshive e produkteve të tjera tradicionale”, ka thënë ajo.

Edhe Suksesi i fermeres me turshi, shet 8 euro një kavanoz SOT Suksesi i fermeres me turshi, shet 8 euro një kavanoz

63-vjeçarja tregon se receta tradicionale e saj ka bërë që të rriten kërkesat nga konsumatorët.

“Është receta e nënave tona, me këtë recetë do të vazhdojmë të punojmë. Ka konsumatorë që dëshirojnë ta shohin për afër procesin e turshive se si ne e punojmë sepse konsumatorëve iu duket e mirë”, ka shtuar Ramadani.

Ajo i motivon vajzat e reja që të punojnë, thotë se përfitimet janë të shumta nga bujqësia.

“Puna e më hershme ka qenë më e vështirë, pasi që gjithçka është punuar me dorë, ndërsa sot makineritë e ndryshme na kanë lehtësuar punën. Që nga larja e deri te konservimi, e paketimi është pak më lehtë sesa në të kaluarën, vetëm ata që nuk dëshirojnë të punojnë se edhe në Kosovë ka parë. Të gjitha vajzave e grave iu them se kur unë kam arritur ta mbajë familjen me 6 vajza e 1 djalë e t’i shkolloj, t’i rris e t’i punësoj, iu kisha lutur ta mbani Kosovën për këtë vend është derdhur gjak, nuk duhet ta lëmë vendin”, ka thënë ajo.

Janë bërë mbi 20 vjet prej kur Miradija merret me konservimin e turshive, kurse kërkesa e madhe bëri që këto 5 vjetët e fundit ta krijonte kompaninë e saj, duke bashkëpunuar me vajzën e saj, Edita Krasniqin.

“Në fillim tona ka qenë e vështirë hapja e biznesit për shkak të kushteve sepse vetëm më kursimi nuk kemi pasur mundësi t’i sigurojmë të gjitha makinat adekuate për përpunimin e specave, ajvarit e reçelit, por gradualisht i kemi bërë të gjitha. Sa u përket kushteve të punës, janë të mira, kemi kërkesë të punëtorëve, të cilët dëshirojnë të punoj te ne, ndërsa lloje të ndryshme të specave i konservojnë në turshi”, ka thënë Krasniqi.

Ajo thotë se receta e nenës do të përcillet në gjenerata.

“Është recetë tradicionale, nëna e ka marrë nga nënë e saj, ndërsa tani e ka përcjellë te ne edhe unë do ta përcjelli këtë recetë, e cila do të mbetet në biznesin tonë. Eksportojmë mbi 200 tonë turshi në gjermani, Itali, Austri e shumë vende të tjera, gjithashtu edhe në shtëpinë e nënën i shesim, konsumatorët janë të vendeve të ndryshme. Fillimisht i mbledhim specat nga bashkëfshatarët, pastaj merremi me larjen e specit dhe gjë sendeve të cilat janë adekuate për turshitë. Çmimet e turshive janë nga 3.30 e më shumë, varet se si e kërkojnë konsumatorët”, ka thënë ajo.

Edhe Përgatitja e ajvarit nga gratë e Krushës SOT Përgatitja e ajvarit nga gratë e Krushës

Turshitë e Miradijes në treg shitën nga 3 euro e më shumë. Brenda sezonit ajo konservon mbi 200 tonë turshi të ndryshme.

Krusha e madhe njihet për mbjelljen e shumë hektarëve me produkte bujqësore, veçanërisht speca.