Së bashku me nxënësit, ajo po i drejtohej njërit prej ambienteve më të veçanta të shkollës, atij të ushtrimeve të robotikës.
Bëhet fjalë për mësuesen Shkurte Thaqi dhe nxënësit e ciklit të ulët, nga klasa e parë deri në të pestën.
Në këtë klasë plot ngjyra, mësuesja ka vendosur një hartë robotike, të cilën e ka krijuar posaçërisht për nxënësit që e kanë kthyer robotikën në pasion.
“Kam mendu me kriju një hartë e cila është e përbërë nga 12 segmente. Kam dashur që të krijoj diçka sa më kreative për shkollën, sepse i kemi gjithmonë mbështetës në çdo aktivitet që ne e kemi. Sot robotika i ndihmon shumë nxënësit, jo vetëm në aftësitë teknologjike, por edhe në aftësitë në komunikim, prandaj zgjodha që në ditën e shkollës ta prezantoj këtë hartë robotike që do të jetë në shfrytëzim nga e gjithë shkolla e nga nxënësit”, theskson Thaqi.
Njohuritë që kishte fituar që në fëmijëri për teknologjinë, ia lehtësuan mësueses krijimin e kësaj harte robotike.
“Për krijimin e kësaj harte ku lëviz roboti nuk e kam pasë thuajse fare të vështirë, pasi qysh në moshë të hershme kam pasur dëshirë të krijoj gjëra të tilla dhe e kam dashur gjithnjë lëndën e teknologjisë e informatikës. Gjithçka që është dashur ta kem parasysh që segmentet t’i kem në mënyrë të barabartë që ta mundësojnë lëvizjen e plotë të robotit. Nuk e kam pasë kërkesë nga shkolla krijimin e kësaj harte. Thjesht nga dëshira për të bërë diçka për shkollën e po ashtu për nxënësit që ta kenë mësimin sa më atraktiv dhe pse jo të mësojnë për një fushë siç është robotika”, deklaron Thaqi.
Mësuesja Shkurte thotë se vëren një interesim të madh te nxënësit për mësimet në fushën e robotikës.
Sipas saj, ky interes është rezultat i kushteve të mira që ofron shkolla, si dhe kohës shtesë që kalon me nxënësit falë mësimit tërëditor.
“E mira është që kabinetet e informatikës i kemi dhe i kanë të gjitha pajisjet, gjë që na e ka lehtësuar shumë punën në fushën robotike. Po ashtu edhe mësimi tërëditor na ka mundësuar të jemi aktivë, sepse edhe në kohë të pauzave për ushqim bashkë me nxënësit kujdesemi që të gjejmë sa më shumë ide inovative për t’i zbatuar praktikisht gjatë orëve në robotikë”, thotë Thaqi.
Rezultatet dhe interesimin e nxënësve për mësim, mësuesja e ndërlidh edhe me afërsinë që mësimdhënësit thotë se duhet ta krijojnë me ta.
“Si mësuese mendoj që vendin e punës pikë së pari duhet shikuar si shtëpinë tonë e nxënësit, si fëmijët tanë. Gjithashtu punën duhet ta marrim jo vetëm si obligim, por me shumë vullnet e dëshirë, sepse siç mësojnë nxënësit nga ne edhe ne rritemi e mësojmë nga nxënësit”, thekson Thaqi.
Sapo mësuesja përfundoi hartën robotike, nxënësit filluan të krijonin kodet për ta vënë në funksion robotin, i cili do të lëvizte përgjatë saj.
“Unë po e shpjegoj pak se si funksion ky robot nëpër hartën që mësuesja e ka bërë për ne. Roboti duhet t’i ketë të gjitha këto pajisje që po i shihni, sepse njërën nëse nuk e ka roboti nuk funksion. Këtë robot e kemi koduar që të shkojë nëpër vijat e hartës që mësuesja Shkurta e ka punuar për shkollën tonë”, thekson nxënësi Diell Bajrami.
Aktivitetet në fushën e robotikës për nxënësit e “Nazim Gafurrit” janë pjesë e përditshme e procesit mësimor, me qëllim që ata të avancojnë në fushën e teknologjisë.