SOT

Shkolla e Prishtinës që po i aktivizon vajzat në robotikë

Vite më parë numri i djemve të interesuar për fushën e robotikës ishte dukshëm dominues.

Ndërsa në ditët e sotme kodimin e programimin e robotëve e bëjnë krejt lehtësisht edhe vajzat, të cilat e shohin të ardhmen e tyre në një fushë të tillë si robotika.

Përfshirjen e vajzave dhe djemve në numër thuajse të njëjtë në robotikë po e bën shkolla e mesme e ulët “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Madje vetë nxënëset shprehen se mësimet mbi kodimin, do t’i përgatitin për të ardhmen si programere në vend.  

“Kjo orë që ne e bëjmë në robotikë është një lëndë shumë e mirë, sepse ne në robotikë jo vetëm që programojmë, por edhe bashkëpunojmë shumë me njëri-tjetrin. Për ta vënë një robot në funksion ne e programojmë atë dhe i japim kode të ndryshme që roboti të lëvizë. Mua më pëlqen shumë robotika dhe kam një dëshirë shumë të madhe që të programoj dhe dua që në të ardhmen të bëhem një programere”, ka thënë nxënësja, Aria Kastrati.

Aria thotë se i pëlqen ta sfidojë veten në kodim.

Shprehet tejet entuziaste për garën finale të robotikës “Kosova Makers Leauge”, për të cilën po i bëjnë përgatitjet dhe pret që shkolla e saj të dalë fituese.

“Në çdo orë që po e bëjmë këtu në robotikë bashkë me mësuesen, po përgatitemi shumë për garën që kemi me marrë pjesë si shkollë. Tash është gara finale dhe duke e parë se sa shumë po punojmë kam shumë shpresë që shkolla jonë do ta fitojë këtë garë të robotikës”, ka shtuar ajo.

Nxënësi Arktik Kastrati robotikën e sheh si një nga orët më atraktive, pasi thotë se lidhet me lëndën e tij të preferuar, matematikën.

Ai synon ta krijojë një robot përmes të cilit do të kuptonte nëse mund të zhvillohet jetë në ndonjë planet tjetër.

“Robotika është një nga orët që e dua më shumë edhe pse për mua ka qenë në fillim më vështirë, sepse nuk e kam ditur fare se ç’është kodimi, por falë këtyre orëve kam mësuar dhe kam përcjellë vazhdimisht video në rrjete sociale. Unë mendoj që në të ardhmen është mirë që ta programoj një robot që të shkoj në Mars për ta parë a mund të zhvillohet jeta atje a jo”, ka theksuar ai.

Për stafin e kësaj shkolle të Prishtinës e rëndësishme ishte përfshirja e të dy gjinive në teknologjinë e fushës së robotikës.

“Duke e parë që çdo herë e më shumë po shkojmë drejt tokologjisë dhe se nxënësit po shprehin dëshirë të vazhdueshme që të merren me teknologji, atëherë kemi dashur të jenë vajza po ashtu me një numër të madh pjesëmarrjeje në këtë fushë si robotika. Gjithashtu mendoi se përfshirja e të dy gjinive sidomos në teknologji do të prodhojë një sukses edhe më të lartë”, ka thënë mësimdhënësja Shkurte Thaqi.

Kabineti i shkollës me pajisjet kompjuterike ia mundëson nxënësve testimet e vazhdueshme të robotëve që i krijojnë përmes kodimit.

Këta nxënës i kishin kaluar me sukses të tri sfidat paraprake të garës robotike “Kosova Makers League”.

“Si shkollë kemi qenë pjesë qysh herët në ‘Kosova Meakers League’. Tash do të jemi në garën finale pasi i kemi kaluar tri sfidat e kësaj gare robotike dhe e kemi fitu të drejtën për finale tashmë. Fatmirësisht kushtet që shkolla na i ka ofruar prej fillimit na e kanë mundësuar që t’i bëjmë orët praktike me nxënësit duke nisur nga mësimi mbi kodimin e deri te programimi i plotë i robotëve”, ka shtuar Thaqi.

Nxënësit prishtinas synojnë që të krijojnë edhe robotë të tjerë e me funksione të reja, gjë që ia mundëson infrastruktura që zotëron shkolla.