SOT

Menyja e ushqimit në Mensën e Studentëve dhe siguria në ushqim

Në Mensën e Studentëve çdo ditë ushqehen deri në 5 mijë studentë. 

Sipas studentëve, menyja e ushqimit ofron mëngjes të freskët me djathë, vezë, supë e ushqime të tjera, si dhe darkë me lloje të shumta të gjellëve, sikurse, fasule, patate, oriz e fërgesa të ndryshme.   

Vetëm 15 euro në muaj duhet të paguajnë studentët për ushqim, të cilët që nga e hëna e deri në ditën e diel mund të zgjedhin ushqimet që atyre u pëlqejnë.

Artiola Tovërlani është studente e vitit të tretë në Fakultetin e Shkencave në UP. Ajo thotë se ka zgjedhur Mensën e Studenteve për ushqim, sepse ndihet më e sigurt dhe i pëlqejnë ushqimet e kësaj kuzhine.

“Sa i përket të ushqyerit, unë jam shumë e sigurt këtu në mensë sesa diku tjetër. Për tri vjet unë mensën e kam zgjedhur për drekë dhe darkë pasi që jam edhe studente. Kem lloje të ndryshme të ushqimeve, si më e veçanta është mëngjesi francez edhe është një ushqim i mirë. Kem rreth 10 gjella dhe secila është më e mirë se tjetra. Ne mensë të studentëve konsumojmë ushqime ndoshta në shtëpinë time nuk i kam ngrenë. Ftoj të gjithë studentët që të regjistrohen në mensë të studenteve për dy vaktet e ushqimit. Me 15euro në muaj nuk mundesh me ngrenë askund tjetër përveç mensës së studentëve”, thotë ajo.

Në Mensë përgatiten çdo ditë ushqime të ndryshme, ndërsa kuzhinierët kujdesen që ato të jenë të freskëta dhe me shije.

Si më të veçantë e kanë përgatitjen e peshkut që, sipas kuzhinierit, kërkohet më së shumti nga studentët. 

“Në ditën e hënë kem mëngjes me vezë të ziera, gjemë , djathë, suxhuk, të martën mëngjesi është i njëjtë. Gjatë javës ka lloje të ndryshme të gjellërave si pasul, musak, patate, oriz etj, të gjitha janë të freskëta. Së pari i provojmë ne ushqimet, pastaj i shërbejmë për nxënësit”, thekson kuzhinieri Gani Sylejmani. 

Drejtori i Mensës, Fahri Osmani, thotë se studentët ushqehen me dy vakte në ditë, drekë dhe darkë.

“Studentët kanë një meny të begatshme me të gjitha llojet e ushqimeve. Ne ofrojmë dy vakte ushqim për studentet, drekë dhe darkë. Dreka fillon në ora 10:00 të mëngjesit dhe përfundon në ora 15:00 dhe darka fillon në ora 17:00 dhe përfundon në ora 21:00”, deklaron Osmani. 

Ai thekson se ka edhe kategori studentësh që përfitojnë ushqim falas, si asistencë sociale, fëmijët e dëshmorëve dhe veteranëve dhe ata që vijnë nga e njëjta familje.

“Studentet duhet të aplikojnë gjatë afateve për konvikte dhe mensë, pra të gjithë studentet të cilat pranohen në konvikte kanë të drejt të ushqehen në mensë. Ky numër është 4 mijë, por edhe një mijë student pranojmë edhe studentë të cilët banojnë në banesa private. Dhe shkon numri deri në 5 mijë student që ushqehen në mensë. Kem edhe kategori që lirohen nga pagesa ushqimi në mensës së studenteve dhe banimit. Sidomos studentë që janë nga e njëjta familje, studentet e dëshmorë, veteranëve, me asistence sociale etj”, thekson Osmani.

Kuzhina e Mensës ka kapacitet që të përgatisë rreth 10 mijë shujta në ditë.

Ushqimi dhe higjiena në Mensë të Studentëve kontrollohen rregullisht nga Agjencia e Ushqimit.