Ndryshimet në kujtesë janë ndër shenjat më të njohura të demencës, por edhe ndryshimet e pazakonta në mënyrën e të ushqyerit mund të jenë një sinjal që duhet vlerësuar, ka shkruar HuffPost.
Neurologët theksojnë se këto ndryshime nuk do të thonë domosdoshmërisht se një person ka demencë. Ato mund të lidhen edhe me depresionin, ankthin, ilaçet ose problemet dentare. Megjithatë, nëse ndryshimet janë të reja dhe vazhdojnë me kohë, rekomandohet konsultimi me mjekun.
1. Ushqimet bëhen gjithnjë e më të thjeshta
Një person që për vite me radhë ka përgatitur vakte të ndërlikuara mund të fillojë të bëjë ushqime shumë më të thjeshta ose të ndalojë së gatuari fare.
Sipas neurologëve, gatimi kërkon planifikim, organizim dhe ndjekjen e disa hapave, aftësi që mund të preken nga demenca.
2. Humbet interesi për ushqimin
Personi mund të mos ketë më dëshirë për të ngrënë. Një nga arsyet mund të jetë ndryshimi i nuhatjes, i cili ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si e shijojmë ushqimin.
“Ulja e nuhatjes i heq ushqimit një pjesë të madhe të kënaqësisë. Një person me demencë mund t’i përshkruajë vaktet si pa shije ose të zbehta”, ka thënë neorologu Joel Salinas.
Depresioni, i cili shfaqet më shpesh te njerëzit me demencë, mund të ndikojë gjithashtu në interesin për ushqimin.
3. Harron të hajë ose harron se ka ngrënë
Problemet me kujtesën mund të bëjnë që një person të harrojë të hajë, të mos kujtojë se ka ngrënë ose të mos e kuptojë kur është i uritur.
Sipas neurologëve, demenca mund të ndikojë edhe në sinjalet e urisë dhe ngopjes. Për këtë arsye, disa persona mund të hanë shumë pak, ndërsa të tjerë mund të hanë më tepër se zakonisht.
4. Fillon të hajë gjithmonë të njëjtat ushqime
Një tjetër ndryshim mund të jetë krijimi i një rutine shumë të ngurtë ushqimore – për shembull, dëshira për të ngrënë të njëjtin vakt vazhdimisht.
“Kur të menduarit bëhet i vështirë, çdo vendim kërkon përpjekje. Të hash të njëjtin vakt heq një vendim nga dita”, ka thënë Salinas.
Ushqimet e njohura mund të duken më të sigurta dhe më të parashikueshme për një person që po përballet me ndryshime njohëse.
5. Shfaqet një dëshirë e re dhe e fortë për ëmbëlsirat
Një dëshirë e pazakontë për ushqime të ëmbla është ndër ndryshimet më të raportuara.
Sipas neurologëve, kjo mund të lidhet veçanërisht me demencën frontotemporale, e cila prek lobet frontalë dhe temporalë të trurit.
“Lobi frontal normalisht na ndihmon të kontrollojmë impulset dhe zgjedhjet ushqimore. Kur dëmtohet, ky kontroll dobësohet dhe mund të shfaqet një tërheqje e fortë ndaj ushqimeve të ëmbla dhe me shumë karbohidrate”, ka thënë Salina.
Çfarë duhet të bëjnë familjarët?
Nëse shfaqen këto ndryshime, mos nxirrni menjëherë përfundimin se bëhet fjalë për demencë. Një ndryshim në ushqyerje mund të ketë shumë shkaqe.
Ekspertët rekomandojnë të mbahen vaktet në orare të rregullta, të krijohet një ambient i qetë gjatë ngrënies, të shmanget presioni për të ngrënë, të ofrohen ushqime që personi i pëlqen, si dhe ushqimet e ëmbla mund të kombinohen me përbërës më ushqyes, si fruta, kos, banane ose gjalpë arrash.