Është një hapësirë e gjelbëruar në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet. Drunjtë aty janë të mëdhenj ngaqë janë mbjellë kohë më parë. Kësaj lagjeje jo shumë larg qendrës i janë shtuar edhe drunj të rinj me projekt të ri të mbjella nga Komuna e Prishtinës.
Si pjesë e nismës është bërë edhe fushata “Bëhu mik i Prishtinës”, ku kanë mundur të japin donacione – drunj - organizata e biznese të ndryshme. Sipas drejtoreshës së parqeve, Fatime Hajdari, pjesëmarrja duket e kënaqshme, raporton KOHA.
Drunjtë e mbjellë janë të llojeve të ndryshme, ndërsa pritet të mbillen 12.000 të tillë, pasi komuna t’i përfundojë procedurat.
Hajdari tregon se gjithnjë mbjellja e drunjve të rinj bëhet në pajtim me banorët e lagjeve.
Vendndodhja e mbjelljeve do të jetë në lagje të ndryshme, por ka dallime në vendet brenda lagjeve ku do të vendosen drunjtë e rinj. Po ashtu, Hajdari i inkurajon qytetarët që të kujdesen edhe më shumë për drunjtë aktualë.
Sipas saj, drunjtë nga “miqtë e Prishtinës” janë gjithmonë të mirëseardhur.