Erzë Surdulli
Gurët e “Trepçës” e Hyjnesha në fron janë simbole jo vetëm të Mitrovicës e Prishtinës, por të të gjithë Kosovës.
Si suvenire ato janë ndër më të pëlqyerat kur dikush dëshiron që të ketë një copëz Kosove si kujtim.
“Te suveniret që janë më të kërkuara në dyqan janë Hyjnesha në Fron dhe hartat e Kosovës me gurë të Trepçës, këto të dyja mundem m’i specifiku, por nuk domethënë që suveniret e tjera nuk janë të shitura. Unë mendoj që çdo turist që vjen të paktën një magnet, një kartolinë, një varëse të çelësave e merr me vete për me e bart një histori të vendit tonë për familjet e tyre ose shoqërinë që ata e kanë”, thotë Luljeta Sopaj - Fondaj, punonjëse në një dyqan suveniresh.
Çdo suvenir ka një histori të veçantë, por Hyjnesha në fron ka një lidhje të ngushtë me Prishtinën, e sipas Fondajt për këtë arsye mbetet një nga simbolet më të njohura dhe të rëndësishme për të gjithë adhuruesit e suvenireve.
“Gjithmonë Hyjneshën në fron e lidhim me Prishtinën, ndoshta për arsye që është gjete në Prishtinë, por Harta e Kosovës me gurë të Trepçës po mendoj që është më e mira që munden me zgjedh. Këtë punë e bëjmë që 24-25 vjet, suveniret janë një kulturë, një traditë një histori më vete që e kanë edhe mendoj që çdokush që e ka në shtëpitë e tyre e përfaqëson një vend, dinjitetin e vendit, traditën, dhe është kulturë përfundimisht të blesh një suvenir. Ka edhe shumë të vendit që blejnë edhe kanë qejf me pasë një suvenir qoftë në zyrë, qoftë në shtëpitë e tyre, është diçka që i bënë krenar”, thekson Sopaj - Fondaj.
Artizanati merr formë edhe përmes pjatave me motive kombëtare, ku në këtë hapësirë Luljeta Sopaj-Fondaj i krijon ato për të gjithë ata që dëshirojnë të ruajnë kulturën vendase.
“Po i punoj disa pjata me motive kombëtare kryesisht, janë disa që i punoj edhe me pika, marrin kohë, por për mua është si një lloj meditimi, kur filloj të punojë një pjatë gëzohem se krejt fokusin e kam në pjatë dhe pëlqehet shumë edhe prej atyre që jetojnë në vend, por edhe prej turistëve. Çdokujt që e viziton një vend, qoftë Kosovën, qoftë ndonjë vend tjetër, i kisha propozua me ble një suvenir, me pas një pjesë të atij vendi me veti, pasi tregon kulturën, dinjitetin edhe mendoj që ta jep një ndjesi shumë të mirë, momentin që e sheh në shtëpinë tënde edhe ta kujton vendin që e ke vizituar”, deklaron ajo.
Hyjnesha në fron, gurët e “Trepçës”, pjatat e çdo suvenir tjetër mbeten dëshmitare të historisë, dhe ura mes historisë dhe kujtimeve që jetojnë përgjithmonë.