Në lagjen "Tuneli i Parë" në Mitrovicë, 40 vjet më parë u ndërtua ky objekt.
Me qëllim që të shërbejë si kinema për minatorët dhe familjet e tyre, filluan punimet të cilat mbetën në gjysmë si pasojë e politikave të atëhershme.
Tash, 4 dekada më vonë organizata "7 arte" erdhi me një ide për rivitalizimin e tij.
Arkitektura e veçantë dhe historia që bart më vete kjo strukturë objekti e mbetur anash, u kthyen në arsye për organizatën që para organeve komunale ta paraqesin një plan të detajuar.
Drejtori i Urbanizmit në Mitrovicë, Edison Tërnava, thotë se me të parë planin e "7 arte", si drejtori shprehën gatishmëri për ndërmarrjen e hapave konkretë.
I pari hap është procesi i pronësisë së objektit, të cilin e ka ndërmarrja "Trepça"
Gjendja aktuale e objektit, plot me mbeturina dhe i lënë në errësirë, do të ishte hapi i radhës posa puna të fillojë.
Vendosja e Mitrovicës në hartë, si një qytet që duhet vizituar patjetër do të ndodhë nëse ky projekt realizohet, tregon gazetari Urall Boshnjaku.
Sipas tij, veprime të tilla duhet të merren më shumë, në mënyrë që Mitrovica ta mbajë epitetin e qytetit të kulturës.
Dikur Mitrovica kishte 3 kinema, derisa tash qytetarët presin mbështetje nga institucionet që ta ndërtojnë një ose nga sektori privat që të hapë një.