Shumë objekte sportive në Kosovë u shfrytëzuan për fushatë zgjedhore dhe për numërim votash nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për numërim të votave u shfrytëzua edhe palestra “Minatori” në Mitrovicë. Por palestra u la në gjendje jo të mirë.
Dhe klubi i basketbollit Trepça ka reaguar për këtë, duke publikuar po ashtu disa fotografi.
“Jemi thellësisht të indinjuar nga mënyra se si po trajtohet palestra ‘Minatori’. Për rreth katër vjet KB Trepça ka investuar mbi 100 mijë euro në këtë objekt, sepse nuk kemi pranuar ta shohim palestrën të degradohet. Natyrisht, nga investimet kanë përfituar edhe klubet tjera me të cilat e ndajmë këtë objekt me rëndësi. Por situata është rënduar seriozisht nga veprimet e papërgjegjshme të KQZ-së dhe KKZ-së, që e kanë lënë palestrën në gjendje të mjerueshme. Në parketin për të cilin janë investuar mjete marramendëse nga MKRS-ja, janë lënë shpuza cigareje dhe janë shkaktuar dëme, duke e bërë pothuajse të pamundur vazhdimin normal të stërvitjeve.
Kjo është papërgjegjësi totale ndaj sportit dhe pronës publike”, shkruan në reagimin e Trepçës.
Nga klubi mitrovicas kanë bërë thirrje në adresë të kryetarit të ri të Komunës, Faton Peci, që të angazhohet që palestra të jetë në shërbim të sportit.
Trepça të mërkurën e pret Golden Eagle Yllin. Ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës luhet nga ora 18:45.
