Brezovica vazhdon të mbetet një ndër destinacionet e preferuara për turistët, veçanërisht në stinën e dimrit.
Por orientimi për atje shpesh di të jetë problem për vizitorët.
Orientimi i tyre përmes aplikacionit “Google Maps” po i dërgon në një fshat tjetër.
“Siç po e shihni ne kemi mbërritur, por jo në destinacionin e duhur. Kërkimi jonë për Brezovicë na ka sjell këtu në Sevce. Turisti që vjen nga larg detyrohet këtu me u ndal edhe me i pytë vendësit se ku gjendet qendra e skijimit. Tash në këto kushte kur nuk ka borë nuk është ndonjë telashe e madhe, por në rast se ka borë, atëherë kushtet janë shumë më të vështira dhe e zgjat kohën e kthimit për në destinacionin e duhur. Një sugjerim me patjetër është që të vendosen shenjat në rrugën kryqëzuese ku zakonisht po e humbin orientimin”, ka thënë njohësi i telekomunikacionit, Fatbardh Dragusha.
Tashmë po ktheheshim rrugës së njëjtë për të shkuar te qendra e skijimit.
Nga Sevce për në lokacionin e saktë në Brezovicë, turistët detyrohen të bëjnë rrugë prej 21 km.
“Tash siç po e shihni veç jemi në pistën e skijimit këtu në Brezovicë. Në bazë edhe të orientimit me ‘Google Maps’ e keni parë që nga Sevce, ka një distancë prej 21 kilometrash. Kjo gjë në bazë të përvojës edhe ankesave të vazhdueshme që i kam parë nga turistët e kam parë që ata po irritohen nga kjo gjë, sepse nuk është një distancë e shkurtër që ata duhet të kthehen për të marrë rrugën e saktë. Pamje që e ka Brezovica e rrethuar në të gjitha anët me male, i bën turistët të mendojnë se janë duke shkuar në drejtimin e duhur”, ka thënë ai.
Dragusha ia ka nisur “Google” kërkesën për ta rregulluar saktë orientimin për këtë fshat turistik, për të cilën është duke pritur përgjigje.
“Jo vetëm për Brezovicën, por vazhdimisht kudo që e shoh se ka nevojë të ndërhyhet për lokacione, unë nis email direkt në ‘Google’ dhe janë të qasshëm në përgjigje. Njësoj kam vepruar edhe me këtë zonë të veçantë të turizmit tonë, sepse konsideroj që është i domosdoshëm orientimi i saktë për të sjellë sa më shumë vizita në Kosovë. Brezovoicën e rekomandoj për të gjithë turistët jo vetëm në sezonin e dimrit, por në secilën stinë”, ka shtuar ai.
Fatbardh Dragusha u bën thirrje edhe hoteleve e bizneseve në Brezovicë që t’i orientojnë saktë turistët.
Derisa edhe faqja zyrtare brezovica.info i ka njoftuar vizitorët për ngatërresën që po bëhet përmes “Google Map” dhe ka kërkuar që institucionet të bashkëpunojnë me “Google” për ta përditësuar vendndodhjen e saktë.
Këtë ngatërresë më së shumti e bëjnë vizitorët nga Shqipëria, që duan t’i kalojnë vikendet në Brezovicë.