Arbëri

Turistët e vizitojnë Kosovën me rekomandim të të tjerëve, e jo të joshur nga ndonjë fushatë shtetërore

Kosova ka pasur më pak se gjysmë milioni turistë vitin e shkuar, ndërkaq trendi nuk ka ndryshuar as sivjet. Një numër turistësh treguan se për vizitë morën rekomandim në rrjete sociale, dhe jo nga ndonjë fushatë organizuar nga shteti.

Turistët që e frekuentojnë Kosovën, më shumë shtyten nga kureshtja dhe rastësia, sesa nga ndonjë promovim zyrtar.

Në qendër të Prishtinës, afër katedrales “Nëna Terezë”, Eva Langir nga Polonia e realizoi ndalesën e radhës në kuadër të udhëtimit të saj në Kosovë.

“Natyrë e bukur, ne ishim në male në Pejë, tash jemi këtu në Prishtinë, pastaj do të ndalemi në Prizren dhe deri tash po na pëlqen”.

Pak metra larg saj, Ben Sen nga Tajvani e pati një arsye më personale përse e përjetoi ndryshe vizitën në Katedralen e Prishtinës.

“Më pëlqen historia e Nënës Terezë, për shkak se edhe unë jam i krishterë, pra katolik. Tek hyra në kishën ‘Nëna Terezë’ m’u shfaqën kujtimet e fëmijërisë, kur lexoja për Nënën Terezë”.

Ata, sikurse Shunda Huang nga Kina, nuk e vizituan Kosovën për shkak të ndonjë fushate shtetërore. 
U joshën për ta nisur këtë udhëtim nga aplikacionet, forumet, fotografitë a rrëfimet e rastit.

“Kur kërkova për Kosovën në internet, në rrjetin social kinez ‘Redbook’ fjalët kyç që u shfaqën ishin: E pastër dhe miqësore”.

Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit në Kosovë, shprehet kritik për mungesën e një planifikimi shtetëror në rrafshin e turizmit.

“Kosova duhet ta ketë prioritet turizmin dhe duhet të investojë në turizëm, duhet të investojë në infrastrukturë, duhet të investojë në politika stimuluese, në politikat të cilat lehtësojnë të bërit biznes në industrinë e turizmit”, tha ai.

Përfshirja në pakot turistike rajonale mbetet më shumë një mundësi e shfrytëzuar pjesërisht, sesa një sukses i planifikuar. 

Profesori Zekë Çeku, i cili ka qenë drejtor i hotelit “Grand” para dhe pas luftës, thotë se në mungesë të përmbajtjeve zyrtare të krijuara nga institucionet kosovare, përvoja e parë e shumë vizitorëve është e ndërtuar mbi frikën.

“A beson, nëntëdhjetë e pesë për qind prej vizitorëve që vijnë në Kosovë për herë të parë, vijnë me skepticizëm në Kosovë, sepse kanë lexuar atje se  ju vonojnë, ju vjedhin, ju maltretojnë, ju keqpërdorin, mundeni të helmoheni, a beson të gjitha këto, asnjëra e saktë nuk është”, theksoi Çeku.

Por, turistët thonë se në kthimin drejt vendeve të origjinës, do të marrin me vete përshtypje krejt ndryshe prej atyre që fillimisht i solli në Kosovë.

“Mendoj, një gjë tjetër që kam vërejtur është se njerëzit këtu janë shumë miqësorë, për shkak se unë nuk kam Wi-Fi (v.j. internet në telefon) dhe as kartë SIM, dhe njerëzit më ndihmojnë t’i gjej vendet atraktive”.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave, gjatë marsit të sivjetmë, Kosovën e kanë vizituar 25 mijë e 173 turistë të huaj, të cilët kanë realizuar gjithsej 50 mijë e 867 net qëndrimi. Në shkurt shifrat kanë qenë më të larta: 27 mijë e 769 vizitorë e 55 mijë e 786 net qëndrimi. Për vitin 2024, ASK-ja evidentoi 423 mijë vizitorë dhe 827 mijë net qëndrimi në total.