Ani pse nuk ka shifra zyrtare, Kosova për turistët e huaj nuk është e panjohur, por ata vijnë këtu jo me guida të licencuara vendore, por në pako agjencish prej vendeve përreth. Ata që udhëheqin grupe të organizuara, thonë se Kosova është atraksion turistik “si vend i dalë nga lufta” përderisa muzetë e galeritë çojnë pak peshë edhe sikur të kishin ofertë. Guidat ilegale sipas tyre, rrezikojnë narracionin për vendin, përderisa prej objekteve, Biblioteka Kombëtare e Kosovës mbetet top-destinacion. Festivalet kanë një tjetër peshë në vendin që ende nuk ka infrastrukturë për turizëm
Lufta e fundit në Kosovë është një lloj tërheqjeje e kuriozitetit për turistët. Këtë e dinë më së miri ata që udhëheqin grupe të organizuara si ciceronë të kryeqytetit. Kishin parë imazhe të vrasjeve e shkatërrimit. Ndonëse turistë shihen çdo ditë në një kohë kur institucione kulturore shtetërore si Teatri, Muzeu e Galeria Kombëtare janë të mbyllura, ato gjithsesi nuk kanë qenë kurrë destinacione për vizita.
Midis metropoleve që vizitohen gjatë gjithë vitit, kryeqyteti i Kosovës nuk qëndron keq me turizëm. Një vend që shumë shpejt e ka marrë veten pas lufte, e në të cilin shenjat kryesisht janë simbolikat e narrativat. Imazhet e shkatërrimit janë zhdukur thuaja krejtësisht. E udhëzuesit e turistëve të huaj në Prishtinë e dinë mirë se kryeqytetin e vizitojnë kryesisht për të parë gjendjen e një shteti për të cilin së pari herë kishin dëgjuar e parë nëpërmjet mjeteve të informimit në kohë lufte.
Biblioteka, top-destinacion në Prishtinë
Drejtori i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, ka thënë se secilin vit në kryeqytet vërehet rritje e numrit të vizitorëve. Ka përmendur edhe destinacionet që kryesisht vizitohen.
“Në Prishtinë ka shtim të numrit të festivaleve, siç është ‘Sunny Hill’ dhe aktivitete të tjera që janë tërheqëse për vizitorët. Ata vizitojnë monumente si qoftë Bibliotekën Kombëtare, NEWBORN, sheshet, katedralen, xhamitë, Prishtinën e Vjetër, jetën e natës”, ka thënë ai në një bisedë për KOHËN.
Këto hapësira e edhe gjithë itinerarin e vizitave e ka shpjeguar udhërrëfyesi Muamer Hasani, drejtor i “GuideKS”. Ka thënë se lista e vendeve për t’u vizituar nuk varet nga guidat në vend.
“Itinerari i vizitave në Prishtinë nuk varet prej guidave, apo prej ndonjë faktori pos prej operatorëve që e shesin si pako Kosovën apo Prishtinën. Në këtë rast, janë operatorët e udhëtimeve apo agjencitë turistike prej vendeve si Maqedonia, Kroacia a Sllovenia dhe ata zakonisht e bëjnë një program që nuk ka shumë hyrje nëpër muze. Për shembull, Muzeu i Kosovës, për një kohë shumë të gjatë nuk ka qenë pjesë e vizitave në grupe të ndryshme turistike. Ne si guida turistike, kur kontaktohemi nga agjenci, u përmbahemi atyre”, ka thënë për KOHËN.
Sipas informacioneve nga Hasani, prej hapësirave kulturore, më e vizituara del të jetë Biblioteka Kombëtare e Kosovës ndërsa Teatri Kombëtar e Galeria Kombëtare nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e këtyre listave.
“Ajo që vizitohet në Prishtinë nga turistët është Biblioteka Kombëtare që është njëri prej top-destinacioneve që vizitohen, katedralja ‘Nëna Terëzë’, vazhdojmë te ‘Heroinat’, NEWBORN-i, pastaj në sheshin ‘Nëna Terezë’ deri te Parlamenti, pastaj te sheshi ‘Adem Jashari’, njëra prej xhamive, kjo është krejt çfarë u ofrohet vizitorëve në Prishtinë”, ka shpjeguar ai.
Siç ka treguar, më parë ka qenë Muzeu Etnologjik si destinacion për vizitorë, por se nuk është për një kohë të gjatë.
“Njëri prej vendeve që vizitohet shumë në Prishtinë është Muzeu Etnologjik i cili ka qenë i mbyllur për një kohë të gjatë, përndryshe institucionet e tjera kulturore nuk janë pjesë e programit”, ka treguar Hasani.
E Muzeu Kombëtar i Kosovës, sipas tij, ka kohë që nuk është destinacion i vizitave turistike. Ka thënë se nuk çon fare peshë se a janë të hapura a të mbyllura objektet e institucioneve kulturore në këtë kohë.
“Itinerari i vizitave në Prishtinë nuk varet prej guidave, apo prej ndonjë faktori pos prej operatorëve që e shesin si pako Kosovën apo Prishtinën. Në këtë rast, janë operatorët e udhëtimeve apo agjencitë turistike prej vendeve si Maqedonia, Kroacia a Sllovenia dhe ata zakonisht e bëjnë një program që nuk ka shumë hyrje nëpër muze. Për shembull, Muzeu i Kosovës, për një kohë shumë të gjatë nuk ka qenë pjesë e vizitave në grupe të ndryshme turistike. Ne si guida turistike, kur kontaktohemi nga agjencione, u përmbahemi atyre”, ka thënë Hasani.
Mahnitja me imazhin në kontrast
Drejtori i “GuideKS”, Muamer Hasani, që udhëheq shumë prej grupeve të turistëve në kryeqytet, ka thënë se ata vijnë nga e gjithë bota. Ka treguar se kryesisht vijnë nga vendet e Evropës Perëndimore, por edhe nga ato të Azisë. Ka përmendur ata nga Turqia, nga Japonia, Tajvani e Hong-Kongu.
Lufta e fundviteve të ’90, sipas tij, është njëra prej arsyeve kryesore se pse vizitohet Kosova. Ka thënë se turistët mahniten me imazhin e Prishtinës mbi dy dekada pas luftës.
“Një prej arsyeve kryesore pse vizitohet Kosova është pikërisht shkaku i luftës së fundit për të cilën ka dëgjuar a lexuar atë kohë e tash duan ta shohin se si ka përparuar dhe në çfarë gjendje është pas luftës. Në 99 për qind të rasteve, për të mos e tepruar me më shumë, vizitorët që vijnë në Kosovë kanë përshtypje shumë të mirë, janë të mahnitur dhe të befasuar me atë se çfarë ka arritur vendi. Mbase e presin ndryshe, ndoshta me ndërtesa të rrënuara, me njerëz të trishtuar”, është shprehur Hasani.
Guidat ilegale që rrezikojnë edhe narrativën
Edhe këtë vit, gjersa në ditë të zakonshme ka turistë e lërë më për ngjarje si festivalet e mëdha “Sunny Hill” e “DokuFest” midis tjerash, nuk ka madje as edhe një qendër informacioni për turistë.
Në majin e vitit 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për turizëm, i cili, ndër të tjera, rregullon funksionimin e operimit të agjencive turistike, udhërrëfyesve turistikë dhe shërbime të tjera. Por deri më tani shteti nuk ende nuk e ka licencuar asnjë guidë.
Sipas Muamer Hasanit, kjo situatë është një prej telasheve më të mëdha me të cilat përballen guidat.
“Ne kemi guida profesionale, të certifikuara, mirëpo akoma nuk janë të licensuara prej shtetit e çka neve na penalizon, sepse kjo veçse ua lehtëson punën guidave të huaja, operimin e tyre në Kosovë, të cilët ne mund t’i shohim çdo ditë jo vetëm në Prishtinë, por edhe në vendet e tjera, që vijnë në baza ditore, ushtrojnë zanatin tonë në mënyrë ilegale në Kosovë”, ka thënë ai.
Është shprehur optimist se pritet të zgjidhet ky problem pas disa takimeve që kanë pasur me zyrtarë të Ministria së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ka thënë se kjo gjendje jo vetëm se i dëmton ata, por edhe narrativën për vendin.
“Kemi pasur takime me MINT-in, po besoj që shpejt do të zgjidhet ky problem. Është shumë e rëndësishme jo vetëm për operimin tonë, por në rastin e operimit të guidave ilegale, le që dëmtohemi ne ekonomikisht, por dëmtohet edhe narrativa e Kosovës dhe historia e saj për çfarë se çfarë plasohet nga ta tek turistët”, ka thënë Hasani, drejtor i guidës “GuideKS”.
Unioni i Turizmit të Kosovës, i themeluar më 2020, tre vjet më parë pati nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës për hapjen e një zyre informative dhe dy pikave mobile.
Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, pati bërë të ditur se në kuadër të këtij memorandumi përcaktohej hapja e qendrës së informacionit për turistë që do të vendosej në sheshin “Zahir Pajaziti”, dhe dy pika mobile ku njëra do të shërbente në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe një tjetër në Stacionin e Autobusëve në kryeqytet.
Hoti ishte shprehur optimist se Unioni do të hapte këto zyra brenda dy muajve të ardhshëm, por ende kryeqyteti vazhdon të mos ketë as edhe një të tillë.