Një sulm ajror amerikan në prill në një burg të drejtuar nga rebelët Houthi të Jemenit, e që ka lënë të vdekur mbi 60 emigrantë afrikanë të ndaluar, duhet të hetohet si një krim i mundshëm lufte, kanë thënë aktivistët e të drejtave të njeriut të mërkurën.
Thirrja e Amnesty International rikthen në qendër të vëmendjes shqyrtimin mbi sulmin e 28 prillit në provincën Saada të Jemenit.
Sulmi ishte kryer si pjesë e një fushate intensive sulmesh ajrore të zhvilluara nën presidentin e SHBA-së, Donald Trump që synonin rebelët, me qëllimin për të ndërprerë transportin detar përmes korridorit të Detit të Kuq gjatë luftës Izrael-Hamas, raporton AP.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane ende nuk ka ofruar ndonjë shpjegim për sulmin në burg, i cili më parë ishte goditur nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite që luftonte gjithashtu kundër Houthëve, dhe ishte i njohur për mbajtjen e emigrantëve afrikanë të ndaluar, që përpiqeshin të arrinin në Arabinë Saudite përmes zonës së luftës.
"Ne i marrim seriozisht të gjitha raportet për dëmtime civile dhe po punojmë për të publikuar së shpejti rezultatet e vlerësimit për operacionin Rough Rider”, ka thënë kapiteni i Marinës Amerikane, Tim Hawkins, zëdhënës i Komandës Qendrore.
Pas sulmit, Houthit kishin shfaqur mbetjet që ka të ngjarë të jenë nga dy bomba me diametër të vogël GBU-39 me precizion prej 250 paundësh, të përdorura nga ushtria amerikane, ka thënë Amnesty.
Të mbijetuarit e intervistuar nga Amnesty, të gjithë emigrantë etiopianë të ndaluar ndërsa përpiqeshin të arrinin në Arabinë Saudite, i kanë thënë grupit të të drejtave të njeriut se nuk kishin parë asnjë luftëtar Houthi të ishte brenda ndërtesës.
Amnesty ka thënë se sulmi dukej të ishte një "sulm pa dallim", pasi vlerësoi se nuk kishte një objektiv të qartë ushtarak.
E drejta ndërkombëtare ndalon goditjen e vendeve si spitalet dhe burgjet, përveç nëse strukturat përdoren për të planifikuar sulme ose për të grumbulluar armë, por edhe atëherë, duhet të merren të gjitha masat paraprake për të shmangur dëmtimin e civilëve.