Fotografia e ka ndërruar pikëpamjen e secilit prej nesh për botën që na rrethon. Me anë të fotografisë mund t’i ngrijmë momentet më të mira për ne, e t’i mbajmë me vete përgjatë tërë jetës.
Procesi që nga shkrepja e një fotografie deri te finalizimi i saj sigurisht që ka ndryshuar shumë ndër vite, raporton KOHA.
Me digjitalizimin e zhvillimin e teknologjisë, tash është shumë më e lehtë se më parë.
Ky ndryshim ka kaluar nëpër disa etapa, që nga fotografia bardhezi e deri tek ajo me ngjyra e në kohët moderne edhe ajo digjitale.
Për disa ky zhvillim është i mirëpritur dhe të njëjtin e shohin si mundësi më të mirë për finalizimin e një fotografie.
Mirëpo, zhvillimi i filmave për fotografi, krahas gjithë këtij digjitalizimi, është një proces i cili ende praktikohet.
Fahredin Ethemi flet për këtë proces me shumë pasion, duke na bërë të kuptojmë që zanati i tillë nuk do të shuhet asnjëherë, sepse fotografinë fizike mund ta mbash me vete tërë jetën.
Ai shprehet gjithë entuziazëm për profesionin e tij dhe tregon se nuk do ta ndalë këtë mënyrë të zhvillimit të fotografive, që do të sigurohet ta përcjellë te brezi i ardhshëm i familjes së tij.
Edhe pse tash ekziston mundësia të shkrepim me mijëra fotografi brenda një dite, fakti se zhvillimi i fotografisë në stilin e vjetër vazhdon të praktikohet ende sot jep gjithsesi një ndjesi ndryshe dhe flet për një vazhdim të sigurt të traditës edhe në të ardhmen.