Shefqet Hasani është atlet tash e 40 vjet. Trajner i sportit të traitlonit.
Edhe në moshën 65-vjeçare ai e mban veten aktiv përmes garave në disiplina të ndryshme në atletikë.
Stërvitjet për këtë sport ia mundëson shtegu për vrapim në Taukbashçe.
“Jam trajner, por edhe garues ende. Jam i angazhuar në garat e veteranëve të Atletikës së Kosovës, pasi që çdo vit mbahen kampionate ballkanike, si ky i fundit që u mbajt në Tivat të Malit të Zi. Është viti i tretë që jemi pranuar me të gjitha të drejtat ndërkombëtare për ta prezantuar shtetin tonë sa më mirë ndërkombëtarisht”, thotë Hasani.
Është i shpërblyer me medalje të shumta, qysh nga paraqitja në gara të ndryshme që në ish-Jugosllavi. Ato i ka fituar shumicës në disiplina të kërcimeve të shkurtra, të cilat ia sollën edhe titullin kampion i Kosovës, ndërkaq për 40 vjet mban edhe rekordin për kërcim të gjatë në rërë.
Edhe
Babë e bijë në sportin e atletikës
“Si 15-vjeçar kam filluar atletikën ku e kam përfaqësuar Kosovën në kampionate të ndryshme ndërkombëtare e pastaj kam marrë pjesë në kampionate të rregullta në vend. Medaljet që i kam fituar kanë qenë pothuajse në të gjitha disiplinat, duke filluar prej sprintit, pasi që disiplinat e vrapimit të shkurtër dhe kërcimeve veçoj. E në kërcim të gjatë në rërë e mbaj rekordin në Kosovë për 40 vjet si atlet”, tregon Hasani.
Si 15-vjeçar kur nisi të merrej me atletikën, sfidë i kishte kushtet financiare.
Kjo kishte bërë që ai të pauzonte një kohë për t’iu rikthyer sërish mbretëreshës së sporteve.
“Në vitet e hershme, më saktë kah mesi i viteve ’70, kur kam filluar me këtë sport, e kam pas sfidë të merrem me sportin që e doja më shumë, për arsye të mungesës së kushteve financiare. Në Kosovë nuk kishim terren që i përshtatet atletikës, prandaj edhe të shkoja diku jashtë vendit nuk kisha mundësi. Pauzova një kohë, por prapë iu riktheva atletikës, sepse e ndieja se diçka po mungonte në zhvillimin tim si sportist”, thekson Hasani.
65-vjeçari konsideron se atletët në Kosovë janë të lënë plotësisht pas dore, ani pse pa atletikë thotë se nuk mund të zhvillohet asnjë sport.
Edhe
Kryemjeshtri Kuka tërheq vërejtjen për “ngecjen e madhe” në sport
“Nuk është asnjë sport që nuk i ka rrënjët te atletika. Pra, gjithçka fillon me të, pasi që është baza e çdo sporti. Jo rastësisht edhe quhet mbretëresha e sporteve. Por në Kosovë atletika e sportistët atletë janë plotësisht të lënë pas dore. Nuk ka terrene për ta, mungon stadiumi ku ata do të mund të stërviteshin e të garonin, sepse ne marrim pjesë në gara jashtë, por edhe të huajt duhet të vijnë te ne”, tregon ai.
Hasani bashkë 28 atletë veteranë të Kosovës, së fundi i sollën vendit 27 medalje nga kampionati i mbajtur në Tivat të Malit të Zi.