SOT

Me paratë e pensionit 82-vjeçari e rregulloi kroin e Koliqit

Imer Beka është nga fshati Koliq i Komunës së Prishtinës.

Thuajse çdo ditë, 82-vjeçari, viziton fshatin e tij të lindjes, pasi që ka 7 vjet prej se së bashku me familjen është zhvendosur në qytet.

Afro gjysmë ore duhet të ecësh në këmbë deri te Kroi i vjetër i Glacit siç njihet nga banorët, e që Imer Beka me vet-iniciativë e rregulloi atë.

Kishte vite që kur e synonte rregullimin e këtij kroi, sepse e kujton që nga fëmijëria dhe donte të ruhej vjetërsia e tij.

“Kroin e kemi rregulluar këtë vit, sepse e kujton që kur kam qenë fëmijë kur isha bari, e ishte e pamundur të pihej ujë në të. Ky krua asnjëherë nuk ka shteruar”, thotë Imer Beka.

Me paratë e pensionit thotë ta ketë rregulluar plotësisht këtë krua, por përmend edhe përkrahjen e ndihmën nga familjarët.

“Me pensionin tim aq sa kam mundur i kam ndarë edhe pse pension ne pak kemi. Me ato para kam blerë çimento e zall, edhe e kemi rregulluar siç është tash”, shton 82-vjeçari.

Për 82-vjeçarin nga Koliqi rruga që e përshkon deri te kroi nuk është aspak e vështirë, por mendon t’ua lehtësoi kalimtarëve për të cilët edhe e ka rregulluar atë.

“Në këtë krua, mund të pijë ujë bariu, kalimtarët e ndonjë gjahtarë. Derisa kroi ishte i parregulluar nuk e kam parë askënd të ketë ndalur, e tani pres që të ketë lëvizje, sepse mendoj edhe rrugën ta rregulloj”.

Dëshirën e kamotshme të moshuarit, ia mbështeti njëri nga të afërmit e tij, që i ndihmoi për bartjen e materialit punues.

“E pati planifikuar para kaherë ta rregulloi kroin e Glacit, sepse thoshte se ka dëshirë të mos humb shenjat ilire në këtë zonë. Vetëm se ka pritur deri në pensionim. I ka kursyer prej vitit të kaluar paratë e pensionit, pastaj edhe unë i thashë që do ta ndihmoj”, shprehet Bajram Beka, i afërm i të Imer Bekës.

Imer Beka, asnjëherë nuk është i vetëm në thellësitë e fshatit Koliq.

Është instrumenti i fyellit, shoqëruesi i përhershëm i tij të cilin e kishte mësuar prej më shumë se 60 vjetësh si bari në të gjitha lartësitë e atij fshati.