Në periferi të qytetit, larg zhurmës dhe ndërtimeve të shumta, fshihet një botë krejtësisht ndryshe. Është oborri i Eset Krasniqit, një 70-vjeçar nga lagjja Hajvali, i cili ka zgjedhur të jetojë mes artit që vetë ka krijuar në çdo cep të hapësirës së tij.
Ai nuk është arkitekt e as skulptor me profesion, por ajo që ka ndërtuar në oborrin e shtëpisë është shumë më tepër sesa mjeshtëri, është vepër arti.
“Prej kur më kanë larguar serbët nga puna kam filluar të merrem me oborr edhe duke punuar privat nga pak. Gjithmonë jam marrë me art, punoj me gur, i mbjelli pishat, e kam rregulluar fontanten. Të gjitha prej duarve të mia janë bë. Kam ide sa të duash por nuk po mundem t’i realizojë krejt shkaku i lekëve. Njëherë e kam filluar fontante, pastaj murin e kështu rend. Kështu i kam pa nëpër restorante e hajt ta bëj thosha se isha më i ri e kam mundur më shumë. Për një ditë e kam bë vetëm rekën. Pastaj kam mbjellë lule. Kjo e ka pas rrethin dy metra e pastaj kam ngushtuar. Kam ide sa të duash dhe bëj ndryshime çdo ditë”, deklaron Krasniqi.
Fontana, e ndërtuar gur më gur me shumë kujdes dhe pasion, është një ndër veprat më të veçanta. Çdo gur ka historinë dhe kujtimin e vet.
“Shikoje këtë guri këtu. Ka lloj-lloj guri. Ky guri është i veçantë nëse mundesh me ia qellu. Këtë e kam bë vetë. E kam gdhend e kam bë si pëllumb. Këto i kam marrë në Gadime, në Strezovc. Ka të kahmosit. Ka lloj të peshkut. Kristal. Unë kam ide sa të duash, prej ujëvarë mundem me sjellë ujin rreth e rreth por donë lekë ajo. Kam prirje e nuk mundem me pa diçka keq. Te pishat e kam zbukuruar për të mos e hequr se më thoshin djemtë”, shton Krasniqi.
Në një kënd tjetër të oborrit, qëndron një verandë e ndërtuar po nga duart e tij, një vend i ngrohtë ku familja kalon ditët e pranverës dhe verës.
“Këtu janë disa lloje të drurëve, nuk ka drunj që nuk i kam pre. Fiq, bagren e të gjitha llojet e tjera. Tash më ka mbetë vetëm t’i ngjyrosi. Frikë e kam bë tash e ka edhe struktura tjera që i ka vendos. Drunjt prej kopshtit i kam marrë. Jo qershi, arrë e të gjitha llojet pra. Maraki i njërit, ka lloje të ndryshme të figurave. Janë ikë mysafirët se me e shfrytëzua e shfrytëzojmë”, deklaron Krasniqi.
Por një nga veprat më mbresëlënëse është muri rrethues i oborrit, jo një gardh i zakonshëm, por një mur i ndërtuar me gurë që pasqyron më së miri pasionin e tij.
“Një muaj e gjysmë kam bë për ndërtimin e murit. Nuk është shumë. Vetëm të ia qesim gurët është lehtë por duhet t’i përshtatim. Duhet t’i zbukurojmë shtyllat. Komshiu mirë por një vajzë e tij thoshte se kur të vije ai prej Zvicrës mos po na bërtet po jo i pëlqeu”, thekson Krasniqi.
Ky oborr është dëshmi se arti nuk ka nevojë gjithmonë për studio. Ndonjëherë mjafton pasioni dhe dëshira për të bërë gjëra të bukura edhe në qiellin e hapur.
“Si të dalë dhe shoh diçka që nuk është në vendin e vet tërë ditën qëndrojë aty deri ta rregullojë. Tjera punë nuk kam vetëm se zbukurimin, krasitjen e këto kujdesi ndaj oborrit. Edhe vet i shumojmë lulet, i kemi më shumë lule që qëndrojnë edhe gjatë dimrit e jo vetëm sezonale sepse po prishen për një verë e po kushton ashtu. Kështu 90 për qind janë që nuk i prish dimrit. Vetëm që i krasiti e jua heq barin”, shton Krasniqi.
Përveç luleve dhe pishave, Eseti ka mbjellë edhe pemë të shumta.
“Të gjitha pemët i kam, përveç bananes se nuk ka mbi. Me mbjellë e kam mbjellë por nu8k po mbijnë. Kam fiq, kivi, limon, portokall. Ka pesë vite që i kam mbjellë. Ka pemë që ka 50 vjet që janë mbjellë. Por kur po bëhen të rinjtë po ju pengojnë e se dinë që më mirë është të kenë më shumë gjelbërim, oksigjen. Përpara ishe tut me hy prej pemëve këtu. Ajo pishtë i ka 6 vjet që është mbjellë e është rritur disa metra. Mjetet i kam të gjitha, e më ndihmojnë nga pak me kositje djemtë, por punën fizike e kam bë gjithë vet se e kam si pasion. Nuk mund me qëndrua, prej këmbëve diçka s’jam mirë por kur të nxehem se kam gajle vazhdoj të punoj”, deklaron Krasniqi.
Për nevojat e familjes, ai ka mbjellë edhe perime në një hapësirë të vogël prapa shtëpisë së tij.