SOT

Puna me pemë, burim i të ardhurave për të moshuarin

Para 40 vjetësh u zhvendos në Matiqan të Prishtinës nga fshati Lluga i Istogut. Është ky i moshuari Ramë Zeka, i cili pemëtarinë e kishte veprimtari kryesore në fshatin e lindjes e të njëjtën po e ushtron edhe në periferi të kryeqytetit.

“E kam përfunduar shkollën e bujqësisë. Kjo është edhe arsyeja pse jam shpërngul nga fshati Lluga i Istogut për këtu në Matiqan në Prishtinë. Nuk isha larguar nga fshati im asnjëherë nëse nuk do të ishte për studimet e mia. E pastaj e kam menduar edhe të ardhmen e fëmijëve të mi e nuk jam kthyer më. Kështu zgjodha që të merrem me pemëtari ashtu siç jam marrë në Lluga”, ka thënë ai për emisionin “SOT” në KTV.

I pensionuari Zeka pemëtarinë e konsideron si punë nga e cila edhe siguron të ardhura. Ai ka thënë se për plot katër muaj të vitit të kaluar ka shitur kilogramë dardhash të llojeve të ndryshme.

“Unë zgjohem në ora 6 të mëngjesit, sidomos nëse pemët që po i shihni në oborr e kanë kohën e spërkatjes. Shpesh herë këtë proces e kryej edhe në mbrëmje. I kam 5 lloje dardhash, të cilat kërkojnë kujdes që gjatë sezonit të kem vjelje të kënaqshme. Viti i kaluar ka qenë i jashtëzakonshëm. 4 muaj kam shit pemë e kam arritur që të shes me kilogramë dardha e molla”, ka thënë ai.

Përveç pemëve që i ka në oborrin e tij, një numër të konsiderueshëm trupa pemësh i ka edhe në Lluga të Istogut.

Çdo fundjavë shkon në fshatin e tij, atje ku thotë se e gjen qetësinë duke u kujdesur për pemët e duke e punuar tokën.

Aty ku nuk ka pjesë gjelbëruese e tokë për t’u punuar Ramë Zeka ka thënë se nuk do mund të jetonte.

Në Matiqan ka deklaruar se do të shtojë llojet e pemëve, teksa ka përmendur se klientët i ka të rregullt në blerjen e pemëve prej tij.

“Fatmirësisht prej kur merrem me pemëtari kam arritur që të kem blerësit e mi besnik, sepse ata e dinë se si i punoj dhe si kujdesem për këto pemë në oborrin tim, në mënyrë krejt natyrale. Shitjen e bëj këtu, sepse mosha nuk ma mundëson t'i kryej të gjitha procedurat vet e në fund të dal në tregjet e vendit për t'i shitur pemët”, ka thënë ai.

Ramë Zeka edhe pse u zhvendos në Prishtinë, fshatin e lindjes ka thënë se nuk do ta lë asnjëherë anash.

Këtë e drejton edhe si thirrje për banorët e fshatrave të Kosovës.