Nuk supozohet të jetë koncert, por një tubim muzikor për paqen. Sot (e diel) disa prej pop yjeve më me nam të Gjermanisë do të mblidhen përballë shenjës më dalluese të Berlinit “Portës së Brandenburgut” me thirrje për paqen nën moton “Zëri i paqes”. Do të bëhen bashkë bendet si “Silbermond”, “Revolverheld”, “The BossHoss”, “Fortuna Ehrenfeld”, përderisa do të interpretojnë solo edhe Peter Maffay, Sarah Connor, Adel Tawil, Zoe Wees dhe Joris. Këtë e kanë bërë të ditur në rrjete sociale duke shkruar: “Qëndrojmë së bashku, këtë mund ta bëjmë. Kundër luftës dhe për paqe”.
Me interpretimet e tyre muzikantët duan që të dërgojnë një mesazh të fortë kundër luftës në Ukrainë. Mesazhi është i qartë: “Ndaleni luftën”.
Këngëtarja ukrainase Natalia Klitschko, bashkëshortja e kryetarit të Kievit dhe ish-boksierit profesionist Vitali Klitschko është në mesin e atyre që do të flasin. Ajo me fëmijët e çiftit jetojnë në Hamburg, përderisa bashkëshorti është duke luftuar në vijat e frontit në Ukrainë së bashku me vëllain Wladimir Klitschko. Ajo ka folur në demonstratat për paqe disa herë prej që ka filluar lufta dhe së fundmi ka kënduar në një koncert solidariteti në Operën e Hamburgut.
Iniciativa “Zëri i paqes” që përshkruan veten si aleancë e solidaritetit në sektorin e kulturës ka organizuar tubimin dhe shpejt ka marrë përkrahjen e artistëve të mirënjohur.
Një dysinë yjesh gjermanë nga sektori i kulturës janë duke përkrahur aleancën. Përfshirë muzikantin gjerman Henning May, romancierin Sebastian Fitzek, këngëtarin ukrainas Svyatoslav Vakarchuk dhe orkestra “Expat” nga Siria, një orkestër simfonike në muzikantë sirianë në ekzil.
Edhe
Gjermania thotë se po hapet një dritare për dialog mes Evropës dhe Rusisë për Ukrainën
Muzika, sipas aleancës, mbledh njerëzit anembanë botës dhe krijon ura sikurse asnjë medium tjetër.
“Zëri i paqes” dëshiron “të jetë simbol i paqes, të drejtave të njeriut dhe demokracisë”. Synojnë që racizmi të çrrënjoset dhe të mos ketë kufij në këtë aspekt.
Fushata po ashtu synon që të mbledhë fonde në mënyrë që të përkrahen viktimat ukrainase të luftës në mënyrë që të shpërndahen në organizata bamirëse. Për krejt ata që nuk janë rezidentë në Berlin, ngjarja do të transmetohet nga stacioni televiziv “ProSieben”. Njerëzit po ashtu mund të japin donacione online nëpërmjet ueb-sajtit “Sound of Peace”.
Qeveria gjermane po ashtu e ka mbështetur këtë tubim.
Edhe
Mozarti si frymëzim në kohë krizash
Claudia Roth, ministre e Kulturës në Gjermani, nëpërmjet një letre nga thënë se ajo e përkrah këtë iniciative të “kulturës për dhe kundër agresionit të Putinit në shenjë solidarizimi me Ukrainën dhe po ashtu me shumë njerëz në Rusi, sidomos me artistë, njerëz të kulturës e të mediave të cilët kanë kurajë të flasin kundër luftës dhe bëjnë thirrje për paqe”.
“Muzika gjithmonë mund të jetë zë proteste, të krijojë kohezion e të mbushë zemrat”, ka thënë Johannes Strate nga bendi “Revolverheld”, duke shtuar se është e rëndësishme për muzikën të jetë pjesë e këtyre grupimeve. Jeta nuk është e njëjtë për disa javë, sipas tij, pasi njerëzit qysh në mëngjes shikojnë lajmet se si po luftohet dhe marrin vesh se çfarë ka ngjarë gjatë natës. “Kjo është arsyeja përse ne nuk hezitojmë edhe në një thirrje të dytë të ‘Zërit të paqes’ nëse ajo vjen. Shpresoj fort që të dielën ne do të dërgojmë mesazhe paqeje dhe dashurie”.