Shtojca për Kulturë

Viti i mbrapshtë

Shqipëria e viteve 1914-1918 në serinë e kartolinave të agjencisë gjermane “PurgerCo”

Shqipëria e viteve 1914-1918 në serinë e kartolinave të agjencisë gjermane “PurgerCo”

E tani, kur viti 2025 është mbyllur dhe kur mendoj për krejt çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë atij viti, gjithçka më duket si një kohë e rijetuar, si reprizë e atyre ngjarjeve të vitit 1914 nga novela e Kadaresë. Të themi që viti 2025 ka qenë një “vit i mbrapsht”, mendoj që nuk është përshkrim i mjaftueshëm dhe i qëlluar. Ka qenë më keq sesa çdo mbrapshti që mund ta kemi imagjinuar, në çdo aspekt:

Shkrimtari më i njohur shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq në korrik të vitit 2024, ka një novelë komike me titull “Viti i mbrapsht”. Ngjarjet e saj janë të vendosura diku në vitin 1914, në Shqipërinë që sapo ka fituar pavarësinë. Është një periudhë kaotike, dhe duket se askush nuk e ka të qartë se çfarë është duke ndodhur, madje nuk dihet as cili është kryeqyteti i Shqipërisë, se dikush, në atë kaos, ka vjedhur vulat – ose ato janë zhdukur a djegur! Një çetë shqiptarësh me në krye Shestanin, enden nëpër Shqipëri duke dashur të luftojnë me... këdo-armikun. Në ca rrugë të tjera, jo larg njëra-tjetrës, parakalojnë si somnambul ushtri të ndryshme të huaja, e grupe vendore, proturke, në kërkim të... asgjësë. Kur e kam lexuar këtë novelë, si i ri, gjatë të ‘90-ave, qeshë argëtuar pa masë. Kadareja natyrisht ka qenë mjeshtër dhe ka ditur mirë të shpërfaqë virtytet e njerëzve të këtyre anëve, por mbi të gjitha, ai ka qenë mjeshtër për të pasqyruar veset, mentalitetet e ndryshkura e karakteret e budallenjve e kapadainjve shqiptarë.

E tani, kur viti 2025 është mbyllur dhe kur mendoj për krejt çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë atij viti, gjithçka më duket si një kohë e rijetuar, si reprizë e atyre ngjarjeve të vitit 1914 nga novela e Kadaresë. Të themi që viti 2025 ka qenë një “vit i mbrapsht”, mendoj që nuk është përshkrim i mjaftueshëm dhe i qëlluar. Ka qenë më keq sesa çdo mbrapshti që mund ta kemi imagjinuar, në çdo aspekt: politikisht, ekonomikisht, e kulturalisht. Dhe kanë bashkëjetuar me ne edhe ato personazhe të 1914-s, por tashmë të konvertuar në politikanë e njerëz të fuqishëm të nëntokës, biznesit e mediave. Si ata të para 100 vjetëve, edhe këta, avatarë të kësaj kohe, kanë vazhduar të veprojnë me mentalitet fisnor, kanë qenë mashtrues, gënjeshtarë, kriminelë që vrasin gjakftohtë, njerëz që shtyjnë përpara interesa të ngushta, kanë qenë mizogjenë, seksistë, e hajdutë që plaçkitin (tani jo më bagëti e anije mallrash si në vitin e 1914-tës, por arkën e shtetit e taksat e qytetarëve)! Dhe, si në vitin 1914, edhe më 2025 kemi parë ushtarë (të NATO-s) që janë endur si nëpër mjegull për ta ruajtur paqen, kemi parë agjentë të shërbimeve sekrete që kanë bartur informata poshtë e lart, diplomatë të huaj që kanë propaganduar ide e agjenda të ndryshme, grupe besimtarësh myslimanë që kanë kërkuar kalifate të reja, fundamentalistë të krishterë që kanë propaganduar “kthimin te rrënjët” (por që e mendojnë shqiptarin e krishterë të mesjetës) e kështu me radhë... e kështu me radhë. Gama e klounëve, karikaturave e maskotave të Kosovës së vitit 2025 ka qenë e gjerë dhe e shumëllojshme!

Kosova e mbylli vitin e saj (1914, a 2025, si të doni) për të hyrë symbyllazi në vitin 2026. Gjëra bizare, të mbrapshta, të pabesueshme kanë ndodhur vjet në Kosovë! E, çfarë do të sjellë viti 2026, mbetet të shihet. Zgjedhjet parlamentare, të dytat brenda një viti, u mbajtën më 28 dhjetor, tri ditë para ndërrimit të motmoteve. Atyre ditëve edhe babadimri nis përgatitjet e tij intensive për të shpërndarë dhuratat e fundvitit! Prandaj, le të jemi optimistë, që mes atyre dhuratave të babadimrit do të gjendet edhe shpresa. Shpresa për një vit më të mirë se ky që lamë pas.